Në Klinikën Infektive ndërroi jetë një pacient me ethe të Nilit Perëndimor! 7 janë të hospitalizuar, 2 prej tyre në gjendje më të rënduar

TË FUNDIT

Një pacient tjetër me ethe të Nilit Perëndimor ka ndërruar jetë gjatë fundjavës në Klinikën Infektive. Bëhet fjalë për një pacient 70-vjeçar nga Komuna e Aerodromit, i cili kishte edhe disa sëmundje të tjera, deklaroi sot drejtori i Klinikës, Dr. Fadil Cana.

Ai tha se pacienti kishte qëndruar 57 ditë në repartin e kujdesit intensiv, por pavarësisht të gjitha masave dhe procedurave të ndërmarra, gjatë fundjavës ndërroi jetë.

Sipas Canës, vetëm një rast i ri i konfirmuar është pranuar më 25 shtator. Aktualisht në Klinikë janë të shtruar shtatë pacientë, dy prej të cilëve kanë gjendje më të rënduar klinike dhe janë transferuar në kujdesin intensiv. Të gjithë pacientët janë të rritur dhe kanë sëmundje shoqëruese. Pacienti i fundit është nga Rosomani, ndërsa të tjerët kryesisht nga Shkupi.

Lidhur me përqindjen e vdekshmërisë krahasuar me numrin e rasteve të konfirmuara në vend, Cana tha se nuk do ta konsideronte të lartë, duke theksuar se statistikat janë brenda niveleve të raportuara edhe në vende të tjera.

Deri më tani, në Klinikën Infektive janë hospitalizuar gjithsej 67 pacientë me formë neuroinvazive të sëmundjes. Prej tyre, 10 kanë vdekur, 50 janë shëruar, ndërsa shtatë pacientë vazhdojnë të jenë të hospitalizuar.