Në nëntë muajt e parë të këtij viti është shënuar rritje e numrit të regjistrimeve të automjeteve elektrike, tregon hulumtimi i kompanisë konsulente “PricewaterhouseCoopers”, i cili përfshin tregjet kryesore globale.
Nga janari deri në shtator janë regjistruar rreth 11 milionë automjete plotësisht elektrike, që paraqet një rritje prej 12 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Hulumtimi, i publikuar para disa ditësh, tregon se shtytësi kryesor i rritjes së shitjeve është Evropa.
Nga fillimi i vitit deri në fund të shtatorit, prodhuesit e automjeteve në Evropë kanë shitur gjithsej 2,5 milionë vetura plotësisht elektrike, që paraqet një rritje prej 42 për qind në krahasim me vitin e kaluar, raportoi DPA.
Në Gjermani janë regjistruar 604 mijë vetura të reja elektrike, 58 për qind më shumë sesa në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar.
Me këtë rezultat, Gjermania renditet në vendin e tretë në botë për nga numri i regjistrimeve të veturave të reja elektrike, duke ngushtuar diferencën me SHBA-në, e cila mban vendin e dytë, raportoi “Sibiz”.
Ndërkohë, në SHBA është shënuar rënie e regjistrimeve të automjeteve elektrike.
Në nëntë muajt e parë të këtij viti atje janë regjistruar rreth 746 mijë automjete elektrike me bateri, që paraqet një rënie prej 29 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas kompanisë, rritja e shitjeve të automjeteve elektrike në tregun më të madh të automobilave në botë është ngadalësuar, ndërsa në Kinë shitjet kanë stagnuar në rreth gjashtë milionë automjete.
