Dy ditë me radhë rrjedhin ujëra të zeza nëpër rrugë, ndërsa në shtëpi nuk kanë ujë në pjesë më të madhe të ditës. Banorët e rrugës Boro Kamçevski në lagjen e Shkupit, Cërniçe në shekullin 21 nuk kanë kushte elementare për jetë.
TV21: A është ky problem i shpeshtë?
Dragi: “Po, po ndodh shpeshherë”
TV21: Sa kohë rrjedhin këto ujërat e zeza?
Dragi: “Pasi e ndryshuan rrjetin e kanalizimit. Pasi vendosën kanalizim të ri për ujëra të zeza, i njëjti bllokohet dhe këtu qëndron problemi”.
TV21: A keni paraqitur diku?
Dragi: “Vazhdimisht e paraqesim problemin por nuk vijnë, kështu është tashmë tri ditë”.
TV21: Si ballafaqoheni me ujërat e zeza?
Dragi: “Duhet të vijnë nga NP Ujësjellës dhe të pastrojnë, gjithmonë situata e njëjtë, tani pastrova por vjen era e keqe, nuk durohet”.
TV21: A jeni të shqetësuar për shëndetin tuaj?
Dragi: “Patjetër. Këto janë ujëra të zeza, unë banoj në afërsi”.
Jo shumë larg shtëpisë së Dragit, është boshti prej të cilit tri ditë me radhë rrjedhin ujëra të zeza.
Këto incizimet janë të djeshme. Banorët thonë se nuk mund të rrinë në shtëpi për shkak të erës së keqe, ndërsa tani krahas virusit korona, duhet të mbrohen edhe nga ky rrezik.
TV21 u përpoq ta kontaktonte NP Ujësjellësi dhe Kanalizim por deri në fillim të lajmeve, nuk morëm përgjigje se pse po ndodh një gjë e këtillë dhe se kur do të sanohet ky problem.
Ujërat e zeza rrjedhin nëpër rrugën, një pjesë e tyre kthehen prapë në rrjetin e kanalizimit, por pjesa më e madhe mbetet në rrugën te QT Shampionçe.
