LSDM akuzon qeverinë për dështim në garantimin e ujit të pijshëm të sigurt, duke përmendur rastet në Gostivar, Vallandovë, Leshkë dhe Krushevë. Simona Cvetanovski nga LSDM kërkoi publikimin e analizave të ujit, hetim për institucionet kompetente dhe përgjegjësi, si edhe dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë dhe drejtuesve të Institutit të Shëndetit Publik dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Vetëm për pak ditë, kemi katër qytete me ujë të pijshëm të kontaminuar. Kjo është prova më dramatike e kolapsit të plotë sistemik të kujdesit shëndetësor dhe institucioneve nën sundimin e Mickoskit dhe Grupit të tij të Krimit të Organizuar. Pyetja është se sa qytete ende pinë ujë të pasigurt?”, tha Simona Cvetanovski, anetare e bordit ekzekutiv LSDM.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në, BDI-në dhe Arben Taravarin se po heshtin pas rastit të ujit të kontaminuar në Gostivar, duke mbrojtur, siç thonë, kandidatin e tyre Valbon Limani. Deputeti Brane Petrushevski theksoi se institucionet qeveritare reaguan shpejt për zgjidhjen e problemit dhe se kjo dëshmon mungesë kapaciteti të pushtetit lokal për menaxhimin e situatës.
“As dënim, as kërkesë për përgjegjësi, as thirrje për dorëheqje nga kandidati i tyre Valbon Limani, i cili deklaroi publikisht se nuk ndjen asnjë përgjegjësi morale. SDS, BDI dhe Taravari heshtin sepse Valbon Limani është kandidati i tyre dhe ata e mbrojnë atë përmes prokurorëve dhe gjyqtarëve të tyre”, theksoi Brane Petrushevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Nga VLEN vlerëson se ndotja e ujit në Gostivar është rezultat i neglizhencës dhe keqmenaxhimit ndër vite, duke ngritur dyshime për mënyrën e shpenzimit të fondeve për rikonstruktimin e ujësjellësit gjatë qeverisjes së kaluar lokale. Deputeti Bekim Qoku tha se kjo është një pasojë që nuk duhet të kalojë pa u zbardhur plotësisht rrethanat dhe pa u mbajtur përgjegjësi nga fajtorët.
“Faktet e bëra publike deri më tani flasin për të njëjtën mendësi korruptive që ka shoqëruar qeverisjen e BDI-së: fondet për infrastrukturë nuk kanë përfunduar kurrë aty ku duhej. Ashtu si në rastin e kanalizimit në Zajaz, edhe në Gostivar ngrihen pikëpyetje serioze për mjetet e destinuara për rikonstruktimin e ujësjellësit. Fondet për këtë qëllim në kohën e ish-kryetarit të komunës Arben Taravari kanë përfunduar në drejtim të panjohur”, deklaroi Bekim Qoku, deputet & nënkryetar i VLEN-it.
Ditë më parë kryetari i Gostivarit, Valbon Limani, që vjen nga ASH-ja e Taravarit, kërkoi që rasti në të mos keqpërdoret për tema politike, ndërsa ka theksuar se prioritet i tij mbetet shëndeti i qytetarëve dhe që gostivarasit sa më shpejtë të kenë ujë të pijshëm.
