Kodi i ri i Gazetarëve të Maqedonisë, i cili u promovua zyrtarisht në ambientet e Europe House Shkup, shënon një kthesë të rëndësishme në avancimin e standardeve profesionale në sferën mediatike. Pas plot 25 vitesh nga miratimi i Kodit të parë në vitin 2001, ai është përshtatur për t’iu përgjigjur sfidave të epokës digjitale, inteligjencës artificiale dhe formave të reja të mediave.
Duke folur për ndryshimet kryesore të Kodit lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale në media, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski, theksoi se inteligjenca artificiale nuk mund t’i zëvendësojë gazetarët, të jetë në vendin e ngjarjes, të zëvendësojë bashkëbiseduesin apo të parashtrojë pyetje shtesë.
“Më e rëndësishmja nga të gjitha është se inteligjenca artificiale nuk mund ta marrë përsipër përgjegjësinë para publikut. Prandaj, përgjegjësia do të mbetet gjithmonë e jona, e gazetarëve. Me këtë Kod e themi qartë se teknologjia mund të jetë një mjet, por nuk duhet të bëhet zëvendësim për gjykimin profesional, vendimmarrjen etike dhe përgjegjësinë gazetareske”, tha Mlladen Çadikovski.
Kryetarja e Bordit Drejtues të Këshillit për Etikë në Media, Leunora Kaliqi, theksoi se Kodi i ri nuk është vetëm një përmbledhje rregullash të reja, por një mekanizëm dhe instrument përmes të cilit vetë gazetarët marrin përgjegjësi dhe forcojnë integritetin e profesionit.
“Me Kodin e ri etik, ne vendosim rregulla të reja, të cilat nuk e kufizojnë gazetarinë e lirë dhe profesionale, përkundrazi, ato e përforcojnë integritetin dhe autoritetin e gazetarisë”, tha Leunora Kaliqi.
Mira Kostiq, veterane e gazetarisë, e cila mori pjesë në hartimin si të Kodit të parë ashtu edhe të atij të ri, vlerësoi se teksti i ri do t’i rezistojë provës së kohës, ashtu si edhe Kodi i deritanishëm i gazetarëve, i cili shërbeu si bazë e mirë për këtë përditësim.
“Arritëm të përgatisim një tekst, me mbështetjen e të gjithë kolegëve nga mediat, i cili besoj se do t’i rezistojë edhe për një kohë të gjatë sfidave të kohës në të cilën jetojmë dhe punojmë. Kodi që shërbeu si bazë për Kodin e ri, pra po flas për Kodin e vjetër, e përballoi deri më sot provën e kohës. Natyrisht, kohët e reja sjellin kërkesa dhe rregulla të reja, dhe është e nevojshme t’i plotësojmë”, deklaroi Mira Kostiq.
Kodi është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës të udhëhequr nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Këshilli për Etikë në Media (KEMM) dhe Instituti Maqedonas për Media (IMM), me mbështetje financiare nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
