LSDM kërkon dokument për ujin në Gostivar! Mickoski pajtohet që të publikohet, rikujton se hetimi ende nuk ka përfunduar

TË FUNDIT

LSDM e akuzon Qeverinë se shpalljen e ujit në Gostivar të sigurt për pije e ka bërë pa publikuar analizën që e dëshmon këtë, duke kërkuar të bëhet e qartë mbi çfarë të dhënash është marrë vendimi. Sipas partisë opozitare, pas një muaji pasigurie dhe problemeve shëndetësore të raportuara nga qytetarët, autoritetet duhet të japin dokumentet dhe përgjigjet konkrete për sigurinë e ujit, e jo të bëjnë cirk duke ngritur dolli para kamerave.

“Nuk u duhet cirku, u duhet ujë, u duhet përgjegjësi. Në pyetje është shëndeti dhe jetët e qytetarëve. Tregoni publikisht rezultatet e analizave. Cili institucion e ka bërë analizën e ujit dhe cilat janë rezultatet? Kush e ka nënshkruar raportin dhe kush me nënshkrimin e tij garanton se uji është i sigurt? Bëhuni të paktën një herë të përgjegjshëm dhe seriozë – publikojeni dokumentin”, tha Keti Shterjova, LSDM.

Një gjë të tillë e kërkon edhe kryeministri Hristijan Micksoki.

“Edhe unë insistoj që të publikohet raporti”, shtoi Mickoski.

I pyetur për kallëzimet penale të LSDM-së ndaj tij dhe zyrtarëve të tjerë, si dhe për akuzat e opozitës për mos mbajtje përgjegjësie për kontaminimin e ujit në Gostivar, Mickoski tha se është i habitur se pse LSDM nuk e kritikon kryetarin e Gostivarit, Valbon Limani, nën kompetencat e të cilit është ndërmarrja komunale e ujësjellësit.

Kur them i habitur, kuptohet që këtë e them me ironi, sepse është normale që e njëjta parti politike nuk do ta përmendë atë sepse e ka mbështetur në zgjedhjet lokale që u mbajtën në Gostivar.  Të gjithë e dinë se përgjegjësi në këtë rast ka ndërmarrja komunale. Prokuroria bashkë me MPB tashmë kanë siguruar tre persona, dhe sa jam i informuar, hetimi ende vazhdon, nuk është mbyllur. Kështu, mendoj se hetimi mund të sjellë që të kemi edhe të tjerë që po ashtu do të përfshiheshin në këtë rast, të cilët, Prokuroria ose MPB gjatë hetimit do të konstatojnë se kanë ndonjë pjesëmarrje në gjithë këtë”, deklaroi Mickoski.

Për dallim nga LSDM dhe VMRO-DPMNE që i kanë pasur të përditshme akuzat për çështjen e ujit në Gostivar, nga partitë shqiptare reagimet kanë qenë të pakta. Nga ato që kanë thënë Kryetari i Gostivarit por edhe partia nga e cila ai vjen, Aleanca për Shqiptarët, është që kriza të mos përdorej për përfitime politike dhe që të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë për rastin të përcaktohen përmes një procedure të drejtë, objektive dhe transparente.