Pak orë para përfundimit të afatit për dorëzimin e emrave të kandidatëve për deputetë, në disa media u raportua se Besarta Jashari do të jetë kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje.
Lidhur me këtë ka reaguar vëllau i saj Bekim Jashari, i cili ka e mohuar këtë lajm.
Jashari përmes një postimi në Facebook ka thënë se motra e saj Besarta nuk do të jetë pjesë e asnjë liste elektorale të asnjë partie politike në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ai tutje thotë se familja Jashari mbetet e palëkundur për qëndrimin e Besartës për të qëndruar jashtë përfshirjes aktive në partitë politike dhe në proceset zgjedhore.
“Pas interesimit të madh të mediave për një qëndrim të familjes sonë lidhur me spekulimet për mundësinë e përfshirjes së motrës sime, Besarta Jashari, si kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës, ju njoftojmë se Besarta nuk do të jetë pjesë e asnjë liste elektorale të asnjë partie politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Familja jonë mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të qëndruar jashtë përfshirjes aktive në partitë politike dhe proceset zgjedhore, duke ruajtur angazhimin tonë si përkrahës të paanshëm të zhvillimit të vendit tonë. Në këtë moment të rëndësishëm për Kosovën, bëjmë thirrje për unitet dhe bashkëpunim të plotë mes të gjithë akterëve politikë në vend. Vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të fuqizojmë shtetin tonë, të shtrijmë sovranitetin e tij territorial, të forcojmë demokracinë, të avancojmë subjektivitetin ndërkombëtar dhe të kontribuojmë për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që ofron punësim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Jashari. /21Media