U mblodhën për të konfirmuar përzënien nga Qeveria! Gashi me kritika të ashpra për moralin politik të ish-partnerëve

TË FUNDIT

Pasi që Kryeministri Dimitar Kovaçevski dy ditë më herët i dërgoi në Kuvend kandidatët e rinj për ministra, Alternatives nuk i mbeti gjë tjetër veçse mbrëmë në Kuvendin e saj Qendror të konfirmojë daljen nga Qeveria. Kryetari Afrim Gashi nuk e la pa e përmendur këtë veprim të Kovaçevskit.

 “Partnerët tanë të deridjeshëm e tejkaluan edhe vijën e fundit etike dhe nuk patën durim të presin as vendimin tonë të Kuvendit Qendror që flet shumë për moralin e tyre politik”, tha Afrim Gashi, kryetar “Alternativa”.

Vendimi i Alternativës është që tash e tutje të veprojnë si opozitë, megjithatë Gashi thotë se do të përkrahin ndryshimet kushtetuese dhe çdo ligj në të mirë të qytetarëve.

“Unë kam frikë se me këtë veprim që e ka bërë LSDM dhe kjo shumicë e re mendoj se është rrezikuar shumë e ardhmja europiane dhe mendoj se është rënd të vijmë në situatë për të votuar ndryshimet kushtetuese por nëse ka një iniciativë të tillë 3 votat e Alternativës gjithmonë do të jenë në funksion të së mirës së qytetarëve”, pohoi Afrim Gashi, kryetar “Alternativa”.

Një ndër pikat programore të Alternativës, kur ajo u bë pjesë e Qeverisë, ishte rigjykimi i rasteve gjyqësore për të cilat dyshohet se janë të montuara. Për këtë Gashi tha se kishte përgatitur një letër të cilën në janar duhej ta dorëzonte te Komisioni Europian, por të njëjtën nuk e kishte nënshkruar kryeministri Dimitar Kovaçevski. Sipas kreut të Alternativës kjo është bërë me tendencë, ngase Kovaçevski e ka pasur në plan ta largojë Alternativën nga Qeveria.

“Ka ecur puna por ka ecur zvarrë dhe nuk janë përmbushur gjitha. Ne kishim dëshirë që ajo të bëhej sa më shpejt, kishim edhe një vjet, ne mendonim se deri në vitin 2024 do ta përmbyllnim këtë çështje dhe kemi folur disa herë për këto dinamika, mirëpo për fat të keq, partnerët tanë kishin pasur qëllime tjera, ata kishin pasur plane si të na largojnë ne nga qeveria, prandaj nuk kanë dashur që ne të implementime këto pika. Ato pika janë në interes ë të gjithë qytetarëve, pavarësisht se ne jemi jashtë, do të insistojmë që ato pika të implementime”, tha Afrim Gashi, kryetar “Alternativa”.

Kreu i opozitares VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, duke komentuar zhvillimet tha se Alternativa ishte ajo që e shpëtoi qeverinë e Kovaçevskit dhe Grubit, e këta i përzunë.

“Tani Kovaçevski dhe Grubi vendosën që me shqelma të përzënë njerëzit nga Alternativa, të cilët e vazhduan këtë krim dhe amoralitet të qeverisë të udhëhequr nga BDI dhe LSDM”, pohoi Hristijan Mickovski, kryetar VMRO-DPMNE.

Ndaj kësaj deklarate reagoi Alternativa duke thënë se as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të jetë shpëtimtar për krimin e dikujt.

Përndryshe në periudhën kur partia e Gashit vendosi të bëhet pjesë e ekzekutivit ishte në koalicion me ASh-në, prej së cilës u kritikua mjaft, meqë shkeli marrëveshjen. Tani është ASh po hyn në Qeveri dhe po ia merr të gjitha postet me të cilat AAA drejtoi për një vit, nga partia e Taravarit janë zotuar se dinë të luftojnë korrupsionin.