U hoqën masat, vaksinimi zbehet edhe më tepër! Për një javë vetëm 32 persona morën dozën e parë

TË FUNDIT


-Ekipi i TV21 ndodhet në pikën e vaksinimit pranë Poliklinikës së Çairit. Nëse dikur këtu kishte turma qytetarësh që prisnin radhën me orë të tëra për imunizim, siç po e shihni tani është bosh, raporton Almedina Ismajli, gazetare TV21.

Heqja e masave për mbrojtje nga virusi korona dhe mos kërkimi i certifikatave të vaksinimit gjatë hyrjes në disa objekte dhe institucione, ka bërë që qytetarët të humbin interesimin për vaksinim. Në poliklinikën e Çairit maksimalisht vaksinohen deri në 5 persona në ditë, edhe atë më shumë me dozën e tretë, tregon infermierja kryesore.

“Interesimi për vaksinim është jashtëzakonisht i ulët, gjatë kësaj jave ka pasur një, dy ose maksimalisht pesë pacientë në ditë në poliklinikën tonë”, tha Vlora Azizi, infermiere kryesore.

Përndryshe nga e hëna deri këtë të premte në mbarë vendin 236 persona kanë marrë vaksina anti-covid, vetëm 32 prej tyre dozën e parë.

“Gjatë kësaj jave janë dhënë 236 doza të vaksinës kundër Covid-19 në tërë shtetin. 32 doza të para, 76 doza të dyta, 128 doza të treta”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik. 

Numri i të infektuarve me virusin korona në nivel ditor ka rënë, mirëpo Maqedonia e Veriut është larg imunitetit kolektiv, ngaqë deri tani me dy doza, që llogaritet imunizimi i plotë, janë vaksinuar vetëm 47% e popullsisë. Nga Ministria e Shëndetësisë për TV21 thonë se po vazhdojnë me fushatën për vaksinim duke i dërguar qytetarëve SMS porosi me termin për vaksinim. Ndërkaq shtojnë se në dispozicion janë 380 mijë doza të vaksinave anti-covid.