Të premten në mbrëmje, në hyrje të Shkupit u vendos një billbord përmes të cilit qytetarëve u urohej mirëseardhje. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, e promovoi këtë vepër në Facebook, duke e shpërndarë së bashku me një tekst në të cilin shkruante:
“Mirë se erdhët në Shkup – mesazh me të cilin dërgojmë një mirëseardhje të ngrohtë për të gjithë ata që mbërrijnë në qytetin tonë. Ne e zbukurojmë Shkupin me dashuri, kujdes dhe përkushtim, sepse çdo detaj ka rëndësi kur ndërtojmë një qytet me fytyrë të njohshme dhe shpirt të ngrohtë”.
Por billbordi, i cili duket qartë se ishte gjeneruar me inteligjencë artificiale, shkaktoi reagime për shkak të gabimeve vizuale. Kali Bukefal shfaqej me pesë këmbë, Kalaja nuk i ngjante asaj të Shkupit, Ura e Gurit ishte e shformuar, ndërsa në disa reagime u theksua se kisha e paraqitur në billbord i ngjante më tepër tempullit “Shën Sava” në Beograd.
“Rezultati është i turpshëm: kali Bukefal është pikturuar me pesë këmbë, luftëtari i ngjason një personazhi nga filmi vizatimor, kurse e gjithë pamja është e gjeneruar dhe pa asnjë lidhje me Shkupin real. Kjo nuk është hera e parë që VMRO e shëmton kryeqytetin”, tha LSDM.
Përveç gabimeve vizuale në këtë fotografi mungon edhe gjuha shqipe. Për këtë reagoi nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani.
“Në billbordin me të cilin Shkupi i mirëpret vizitorët mungon plotësisht gjuha shqipe, ndonëse kryeqyteti është dygjuhësh dhe identiteti i tij është ndërtuar prej shekujsh nga bashkësi të ndryshme etnike, kulturore dhe fetare. Janë paraqitur kryqi i Vodnos, një objekt fetar ortodoks dhe Buqefali, ndërsa mungojnë Çarshia e Vjetër, Kalaja, qoftë edhe një xhami dhe çdo simbol që përfaqëson trashëgiminë shqiptare, islame dhe osmane të qytetit”, deklaroi Bujar Osmani.
Pas reagimeve të ashpra në rrjetet sociale, sot u hoq billbordi.
