Shumë prej udhëtarëve të fshehur që zgjedhin avionin si mjet transporti rrallëherë mbijetojnë. Një djalë afgan 13-vjeçar u nis në një udhëtim të rrezikshëm nga Kabuli drejt Delhit, duke u fshehur në hapësirën e rrotave të një avioni pasagjerësh të kompanisë “Kam Air”.
Zyrtarët thanë se adoleshenti, me origjinë nga qyteti verior afgan i Kunduzit, u gjet duke endur në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Delhit të hënën, menjëherë pasi avioni kishte aterruar. Ai u ndalua nga forcat indiane të sigurisë dhe u mor në pyetje për disa orë, para se të dërgohej përsëri në Kabul me të njëjtin fluturim.
Sipas BBC-së, djali u kishte thënë autoriteteve se e kishte ndërmarrë këtë veprim nga kureshtja.
Zëdhënësi i Forcave Qendrore Industriale të Sigurisë (CISF) në Indi bëri të ditur se djali kishte arritur të udhëtonte pa u vënë re në fluturimin RQ-4401 të “Kam Airlines”, i cili zbriti në Delhi rreth orës 11:10 paradite të dielën.
Policia e gjeti të miturin duke shëtitur i vetëm dhe e shoqëroi për marrje në pyetje. Ai kishte deklaruar se ishte fshehur në pjesën e pasme të ndarjes së rrotave të avionit.
Gjatë kontrolleve shtesë të sigurisë, stafi i kompanisë ajrore gjeti edhe një altoparlant të vogël me ngjyrë të kuqe.
Gazeta “Indian Express” raportoi se 13-vjeçari kishte dëshirë të shkonte në Iran dhe nuk kishte qenë i vetëdijshëm se fluturimi ku ishte ngjitur shkonte drejt Delhit dhe jo në Teheran.