TV21 mëson se KSI nesër mund të propozojë heqjen e orës policore

TË FUNDIT

Për herë të parë pas nëntë muajve nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes nga virusi korona. “Virusi është larg nga mposhtja, por kjo fitore e vogël na jep shpresë se jemi më afër përfundimit të agonisë” theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Njoftojnë se në 24 orët e fundit janë realizuar 3.068 testime dhe kanë rezultuar tetë raste pozitive. Se gjendja është përmirësuar konfirmon edhe Shaban Memeti, drejtori i Institutit për shëndet publik, i cili thotë se raporti për javën që po lëmë pas është shumë pozitiv.

Raporti i ISHP rreth situatës me Covid në nivel shteti që do të del nesër apo pasnesër ka vlerësime që situata rreth Covid-19 në RMV ka një ulje të numrit të rasteve pozitive, ulje të vdekshmërisë dhe ulje të kapaciteteve spitalore apo thënë ndryshe rasteve me shenja klinike që paraqiten nëpër institucione shëndetësore është e ulët.” – deklaron për TV21, Shaban Memeti, drejtor i ISHP.

Komisioni për sëmundje ngjitëse nesër do të zhvillojë takim, ku do të diskutohet për masat parandaluese kundër virusit korona. TV21 mëson se do të propozohet shfuqizimi i orës policore dhe rritja e numrit të lejuar të mysafirëve në dasma dhe organizime të ngjashme. Kjo vjen si rezultat i përmirësimit të situatës epidemiologjike me Covid-19. Memeti, i cili është edhe anëtar i Komisionit për sëmundje ngjitëse, pohon se Komisioni me siguri do të ndërmarrë vendime për zbutjen e masave anti-covid.

Komisioni për sëmundje ngjitëse do të bëj vlerësim javor të situatës së Covidit në nivel shteti dhe në kuadër të situatës aktuale të Covidit merr edhe vendime, që sigurisht të ndonjë lehtësimi të ndonjë mase parandaluese. Do të diskutohen edhe ora policore edhe pjesëmarrja në manifestime të ndryshme publike, pjesëmarrja ose përqindja e njerëzve. Do të shihen të gjitha mundësitë që qytetarëve t’u lehtësohen masat ekonomike, sociale apo shoqërore.”deklaron për TV21, Shaban Memeti, drejtor i ISHP.

Në repartet infektive në Shkup dhe në spitalet tjera në vend aktualisht mjekohen gjithsej 68 pacientë të infektuar me SARS-CoV-2. Për momentin në gjithë vendin janë 437 raste aktive.