Turqia vendos orë policore dhe i mbyll shkollat

TË FUNDIT

Turqia mbyll shkollat ​​dhe sonte vendos “orë policore” gjatë fundjavave nga ora 20:00 deri në ora 10:00, kumtoi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke njoftuar kufizime të reja në luftën kundër koronavirusit.

Pas një takimi të Qeverisë, i cili zgjati më shumë se tre orë, Erdogan tha se restorantet, dyqanet, qendrat tregtare dhe parukierët do të jenë të hapura me kohë të kufizuar nga ora 10:00 deri në ora 20:00.

Ai theksoi se “ora policore” paraprake për njerëzit mbi 65 vjeç, do të zgjerohet që t’i përfshijë edhe të rinjtë.

Regjimi i pjesshëm i lëvizjes së këtyre grup moshave do t’i lejojë ata të dalin vetëm nga ora 10:00 deri në ora 16:00.

Të gjitha ngjarjet sportive do të zhvillohen pa tifozë.

Kafenetë do të mbyllen deri në një njoftim tjetër, kinematë do të mbeten të mbyllura deri në fund të këtij viti.

Lidhur me arsimin, Erdogan tha se shkollat ​​do të mbyllen nga dita e premte dhe mësimi do të zhvillohet në distancë.

Në Turqi ka 421,413 raste të koronavirusit, prej të cilëve 359.063 janë shëruar dhe 11.704 kanë vdekur. Gjithsej 3.657 persona janë në gjendje kritike./MIA