Turqi: 8 të vdekur nga përmbytjet

TË FUNDIT

Ministri i Administrimit të Ujërave dhe Pyjeve i Turqisë, Veysel Eroğlu, ka bërë të ditur se numri i të vdekurve nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës në rajonin Hopa të qytetit Artvin në Turqi është rritur në 8 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Eroğlu, i cili vizitoi të martën të lënduarit në spitalin shtetëror në Hopa, tha se shërbimi meteorologjik kishte paralajmëruar për shira të dendur, mot për të cilin ishin paralajmëruar edhe qytetarët.

Ai theksoi se reshjet kanë qenë shumë të dendura, në 12 orë ka rënë 250 milimetra shira, e që i bie 250 kilogram për metër katror.

“Kjo sipas llogarive që kemi bërë i bie që të jetë një prurje 1 në 500 vjet. Si pasojë e fatkeqësive 6 qytetarë kanë humbur jetën nga rrëshqitjet e dheut, ndërsa dy qytetarë të tjerë kanë humbur jetën nga përmbytjet. Gjithashtu një vajzë është e humbur, ku ekipet tona do të vazhdojnë punimet e tyre të kërkim -shpëtimit. Në total kanë humbur jetën 8 qytetarë dhe gjithashtu kemi një vajzë të humbur”, ka thënë Eroglu.

Ai shtoi se në po ndërhyhet në fshatrat dhe lagjet e paarritshme, derisa po vazhdojnë punimet për urat dhe nën urat.

“Për rajonet në emergjencë po vendosen nën-urat prefabrikate dhe do të sigurohet kalimi”, tha Eroglu.

Ministri njoftoi se për familjet e prekura dhe për familjet të cilat kanë pasur viktima, kryeministria ka dërguar 10 milionë lira (afërsisht 312 mijë euro).