Në gjysmën e parë të këtij viti, për shkak të pandemisë globale të koronavirusit, janë regjistruar 65 për qind më pak udhëtime turistike ndërkombëtare se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e Organizatës turistike botërore të Kombeve të Bashkuara (UNWTO).
Sipas raportit të UNWTO-së, rënia e madhe e kërkesës turistike për udhëtime ndërkombëtare në periudhën janar-qershor të vitit 2020 ka shkaktuar humbje prej 440 milionë udhëtime ndërkombëtare dhe të ardhura prej rreth 460 miliardë dollarë nga turizmi ndërkombëtar.
Ky numër është përafërsisht pesë herë më i madh se humbja e të ardhurave nga turizmi ndërkombëtar, të regjistruar në vitin 2009 gjatë krizës së atëhershme ekonomike dhe financiare globale.
Raporti tregoi se Azia dhe Pacifiku, rajoni i i parë që i ka ndjerë efektet e pandemisë së Kovid-19 ndaj turizmit, janë goditur më së shumti, me rënie të numrit të turistëve për 72 për qind në periudhën prej gjashtë muajve.
Vijon Evropa me rënie të turistëve për 66 për qind, Afrika dhe Lindja e Afërt, me rënie prej 57 për qind dhe Amerika me rënie prej 55 për qind.
UNWTO po ashtu kumtoi se 53 për qind nga destinacionet i kanë zbutur kufizimet për udhëtime në fillim të shtatorit.
Zurab Pololokashvili, sekretar i përgjithshëm i UNWTO-së, tha se tani më është i mundur udhëtim i sigurt ndërkombëtar në shumë pjesë të botës.
Ai posaçërisht e theksoi nevojën për koordinim më të mirë mes qeverive dhe sektorit privat me qëllim që sërish të ngritet turizmi global dhe të stabilizohet./MIA