Trump përballet me 7 akuza për dosjet “top secret”, dy avokatë të tij japin dorëheqje

TË FUNDIT

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, do të përballet me shtatë akuza, në lidhje me mbajtjen në rezidencë private të informacionit të klasifikuar të mbrojtjes kombëtare, si dhe për pengim të drejtësisë.

Trump do të paraqitet në një gjykatë federale në Miami të martën që vjen, pasi akuzohet për mënyrën e trajtimit të dokumenteve të klasifikuara. Kjo u bë e ditur nga avokati i tij.

Vetë Trump ka informuar se sëbashku me të, nën akuzë është vënë edhe një ish- ndihmës i tij ushtarak, Walt Nauta, i cili gjithashtu akuzohet për trajtimin e dosjeve të klasifikuara.

Aktakuza përmban një dokument që detajon akuzat kundër tij, por që ende nuk është bërë publik. Ekipi ligjor i Trump pati një tronditje të konsiderueshme pasi avokatët, Jim Trusty dhe John Rowley, njoftuan dorëheqjen.

Rivalët republikanë Ron DeSantis dhe Mike Pence janë shprehur kundër aktakuzës dhe kanë treguar mbështetje për Trump. Ish-presidenti, i cili po bën fushatë për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, thotë se masa është “një akt i neveritshëm i ndërhyrjes në zgjedhje”.

Kjo është thirrja e dytë gjyqësore për Trump brenda pak muajsh, pasi një juri e madhe e Nju Jorkut e paditi atë në prill.

Dorëheqja e avokatëve

Në këto momente gjërat duket se po ecin me shpejtësi, pasi nëpërmjet një deklarate dy avokatë të Donald Trump, kanë dhënë dorëheqjen si këshilltar ligjor. Jim Trusty dhe John Rowley njoftuan vendimin e tyre për t’u larguar.

“Këtë mëngjes kemi dorëzuar dorëheqjet tona si këshilltarë të Presidentit Trump. Ne nuk do ta përfaqësojmë më atë as në çështjen për të cilën është paditur, por as në hetimin e 6 janarit”,- tha dyshja e avokatëve nëpërmjet një deklarate.

Ata thanë se ishte “një nder” që për një vit mbrojtën Trump, por për shkak se çështja është depozituar në Miami, Trusty dhe Rowley mendojnë se është një “moment logjik” për t’u larguar. Deklarata erdhi jo shumë kohë pas njoftimit të vetë Trump në Truth Social.

Trump shpall ekipin e ri ligjor

Pak minuta më pas Donald Trump shkroi në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, se ka bërë një ndryshim në ekipin e tij ligjor.

“Për shkak të gjuetisë më të madhe të shtrigave të të gjitha kohërave, tani që çështja u zhvendos në Gjykatat e Floridës, unë do të përfaqësohem nga Todd Blanche, Esq., dhe një firmë që do të emërohet më vonë,”- tha Trump.

Ish-presidenti tha se nuk do të përdorë Jim Trusty dhe John Rowley si avokatë të tij, pavarësisht se Trusty u shfaq në Good Morning America të ABC më herët sot për të folur rreth çështjes.

Akuza

Trump është akuzuar për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Florida pas largimit nga detyra. Ky është një zhvillimi i jashtëzakonshëm, pasi e bën Trump, ish-presidentin e parë në historinë amerikane që përballet me akuza penale nga qeveria federale. Aktakuza mbart pasoja të rënda ligjore, duke përfshirë mundësinë e burgimit nëse ai dënohet.

Por ajo mbart gjithashtu implikime të mëdha politike, duke ndryshuar potencialisht zgjedhjet presidenciale mes kandidatëve republikanë, ku Donald Trumpi deri tani vazhdon të jetë kandidati kryesor.

Një juri e madhe federale në shtetin jugor të Floridas paditi ish-presidentin, Donald Trump, për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. BBC