Tre vjet nga e “enjtja e përgjakshme”, “organizatorët në liri, Fetah Alimi padrejtësisht në burg”

TË FUNDIT

Ende janë të freskëta kujtimet, por edhe mbresat e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev nga ndodhitë e 27 prill në Kuvend. Kaluan tre vjet nga e “enjtja e përgjakshme” kur në Kuvend, deputetë, gazetarë, të punësuar në Kuvend, luftuan për jetën e tyre.

Le  të mos përsëritet kurrë më, tha Zaev për TV21 në pyetjen se si e kujton këtë ngjarje sot tre vjet.

“As unë e as qytetarët nuk duhet ta harrojmë terronin dhe dhunën që ndodhën atë mbrëmje. Por as unë e as qytetarët nuk harrojmë se sa larg mund të shkojë VMRO-DPMNE-ja. Nuk harrojmë se dhunuesit dinin saktë se ku ishim ne. Nuk harrojmë se dikush ishte i gatshëm që t’i vrasë deputetët dhe shtetin ta fusë në luftë, me qëllim që ta mbrojë regjimin kriminel të VMRO-DPMNE-së”, tha Zoran Zaev, Lider i LSDM-së.

Një vit pas ndodhive në gusht 2018 filloi procesi gjyqësor për dhunën në Kuvend, i cili ende nuk ka epilog gjyqësor. Njollë mbi këtë proces hodhi edhe amnistia e 15 pjesëmarrësve të cilët kishin ndikim të madh ndaj kësaj ngjarjeje, siç është hapja e dyerve të Kuvendit por edhe drejtimi i dhunuesve drejt hapësirës ku në mënyrë brutale i sulmuan deputetët.

“Kuvendi pa ndërhyrë në jurisprudencë, pranoi që të bëhet dallim mes individëve të manipuluar dhe dhunuesve që e rrezikuan jetën e njerëzve, për shkak se Kuvendi duhet të jetë institucioni i parë që zgjati dorë për pajtim. Këtu ndodhi ky pajtim mes deputetëve. Unë besoj, dhe ky nuk është sekret, se në një moment patjetër i duheshin shtetit për shumicë prej 2/3”, tha Zoran Zaev, Lider i LSDM-së.

Pikërisht për këtë pjesë të ndodhive në Kuvend flet edhe Arben Taravari. Sipas tij organizatorët janë jashtë shtetit ose në kuluaret e pushtetit, ndërsa siç shtoi Fetah Alimi padrejtësisht është në burg.

“Sot tre vjet pas këtij rasti, fatkeqësisht organizatorët kryesor të ngjarjes së 27 Prillit, janë jashtë shtetit apo nëpër kuluaret e pushtetit. Kurse njeriu që e shpëtoi zotëri Selën, zotëri Fetah Alimi është në burg padrejtësisht. Mos ardhtë më asnjë ditë ku gjërat e mira do të duhet t’i fitojmë me gjakun tonë. E bëfshim këtë vend më të mirë me votë dhe jo me dhunë”, tha Arben Taravari ASH.

Për ndodhitë e 27 prillit në Kuvend, një grup të gazetarëve të cilëve u ndihmoi SHGM-ja, sot dorëzuan padi penale kundër shtetit për shkelje të së drejtës për liri të shprehjes dhe kompensim për dëm jomaterial.