Janë konfirmuar tre raste të reja me ethet e Nilit Perëndimor duke e çuar numrin e rasteve të konfirmuara në 11. Dy pacientë janë të shtruar në Klinikën Infektive, ndërsa një në Klinikën e Neurologjisë. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se disa nga rastet e reja nuk kanë histori udhëtimi jashtë vendit dhe janë regjistruar në Shkup.
“Me përjashtim të rasteve që kanë udhëtuar në Greqi, definitivisht ka edhe raste që nuk kanë udhëtuar jashtë vendit dhe me vendbanim janë në zonën e fushës së Shkupit. Aty kanë nisur masat standarde, përfshirë dezinsektimin në një rreze prej 200 metrash rreth vendbanimeve të personave të infektuar dhe ketë e punon Qendra për Shëndet Publik, kjo nuk është punë e komunës”, u shpreh Sasho Klekovski – Ministër i Shëndetësisë.
Klekovski shtoi se deri më tani është regjistruar edhe një rast në Veles, për të cilin po kryhet një analizë shtesë epidemiologjike, me qëllim të përcaktimit të lidhjes së mundshme me rastet e tjera. Komisioni për sëmundje infektive po e monitoron situatën dhe do të vendos nëse do të ndërmerren masa shtesë.
“Komisioni për sëmundje ngjitëse punon vazhdimisht dhe tani fokusi që nga java e kaluar është zhvendosur nga Gostivari në sëmundjet ngjitëse. Sapo të kemi rezultatet nga rekomandimet e tyre do të veprojmë. Për momentin mbeten në fuqi ato që i përmenda dje”, deklaroi Sasho Klekovski – Ministër i Shëndetësisë.
Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, deklaroi për MIA se 7 pacientë janë të shtruar në repartin përkatës, ndërsa gjendja shëndetësore e një 76-vjeçari nga Shkupi, vazhdon të jetë e rëndë dhe ai po mbahet me mbështetje respiratore. Ai është i shtruar në klinikë prej një jave dhe nuk ka udhëtuar jashtë vendit. Tregoi po ashtu se te të gjithë pacientët e hospitalizuar është konstatuar inflamacion viral i trurit dhe i cipave të trurit. Simptomat janë temperaturë e lartë, dhimbje e fortë koke, çorientim dhe çrregullim i vetëdijes.
