Transportuesit privatë tërhiqen nga bllokadat/ Presin që kryeministri të mbajë premtimin për takim

TË FUNDIT

Pas 2 javësh protesta, me bllokim udhëkryqesh dhe rrugë të Shkupit, transportuesit e autobusëve privatë u tërhoqën nga bllokadat.

Në orët e pasdites u tërhoqën edhe nga bulevardi “Ilindenska”, ku po qëndronin së fundmi afër ndërtesës së Qytetit të Shkupit.
Ky vendim i tyre erdhi pasi kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë ditës u zotua se do t’i presë në takim vetëm nëse ata i zhbllokojnë rrugët e bllokuara.

Drejtori i “Slloboda Prevoz” Lenin Jovanovski, i cili ditë më parë u tërhoq nga organizimi i protestave, doli që vetë ta kumtojë këtë vendim të transportuesve.

Tani transportuesit sërish do të bëjnë kërkesë për takim të ri, me shpresën që kryeministri t’i presë për të arritur një marrëveshje për borxhin që Qyteti i Shkupit ua ka transportuesve.

“Këto protesta ndërpriten dhe protestat të tërhiqen nga bllokadat dhe të mundësohet trafiku të funksionojë si duhet. Ne menjëherë pas kësaj pres-konference, do ta përgatisim një kërkesë të re që do të jetë në kontest në atë që e tha Kryeministri Kovaçvski ku ne do t’i përmbushim të gjitha sugjerimet e tij dhe do presim që të jemi të ftuar në takim.”- deklaroi Lenin Jovanovski drejtor i “Slloboda prevoz”.

Po kryeministri Kovaçevski, përveç se kërkoi lirimin e rrugëve, ka edhe disa kërkesa të tjera për takimin.

“E dyta, në atë mbledhje duhet të jenë prezent edhe organet kompetente nga Qyteti i Shkupit, kjo sepse duhet ta shohin para tyre se Qeveria nuk ka kompetenca në pjesën e transportit Publik në Qytetin e Shkupit dhe e treta bëhet fjalë për marrëdhënie borxh-besim mes kompanive private dhe ndërmarrjes publike në kompetenca të Qytetit të Shkupit”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.

Kryeministri theksoi se është kundër marrjes së ingerencave Qytetit të Shkupit, sepse kjo do të nënkuptonte kthimin në procesin e decentralizimit. Transportuesit privatë “Slloboda prevoz” dhe “Makeksepres” më 28 nëntor filluan me bllokadë, duke parkuar autobusë në disa udhëkryqe të kryeqytetit, me kërkesën që t’iu paguhen borxhet që të mund të fillojnë përsëri me punë. Të premten i zhbllokuan udhëkryqet te “Mavrovasja” dhe “Kryqi i Kuq”, ndërsa u tërhoqën edhe nga bulevardi “Ilindenska”.