Kryeministri Edi Rama ka ftuar sërish sot më 2 nëntor studentët në dialog. Rama ka nxjerrë përpara zyrës së tij një sofër prej guri dhe ka vendosur letrat, ku shkruhet “dialog”.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se pavarësisht refuzimit nga protestuesit për të dialoguar, ai është i hapur të flasë me këdo për kërkesat e studentëve, edhe pse mund të ndajnë mendime krejt të kundërta.
Pavarësisht këtij rituali të përditshëm, protestuesit e kanë refuzuar në vazhdimësi ftesën e kreut të qeverisë për t’u ulur në bisedime, duke këmbëngulur se zgjidhja e vetme për situatën e krijuar është largimi i tij.
Kreu i qeverisë, në qëndrimet e tij, është përpjekur ta ndajë dhunën në protestë, për të cilën shprehet se është nën ndikimin e forcave të huaja, nga pjesa e studentëve apo qytetarëve që mund të kenë shqetësime konkrete që duhen dëgjuar.
Për të frenuar dhunën në tubime, qeveria gjithashtu ka paraqitur një paketë masash, të cilat prej disa ditësh kanë hyrë në fuqi.
