Rreth 30 transportues në Gostivar parkuan furgonët para komunës në shenjë proteste.
Ata kërkojnë pagesat që u detyrohet komuna për transportin e nxënësve. Sipas tyre, edhe pse nuk i kanë marrë paratë që nga prilli, ata vazhdojnë t’i bartin nxënësit në kushte të vështira klimatike. Paralajmërojnë se nëse nuk paguhen, do të ndalojnë së barturi nxënësit dhe do të bllokojnë hyrjen e komunës.
“Kemi ardhur të kërkojmë paratë tona. Që nga muaji i tretë i vitit të kaluar nuk na janë dhënë pagesat. Pas paralajmërimit të protestës, na lëshuan pagesën vetëm për muajin e tretë. Por nga viti i kaluar mbeten pa paguar muajt e tretë, katërt, i pestë dhe i gjashtë, dhe as tani që kemi filluar këtë vit nuk kemi marrë pagesë. Vetëm unë kam borxh rreth 80,000 euro, ndërkohë që transportues janë mbi 30 gjithsej. Ne nxënësit i kemi bartur dhe kemi marrë vetëm për naftën”, u shpreh Zulgani Rufati – transportues.
“Komuna e Gostivarit nuk na ka paguar që nga marsi. Sot na lajmëruan se kanë lëshuar pagesën për një muaj, por deri tani nuk kemi marrë asnjë denar. Do të vazhdojmë të bojkotojmë deri sa të marrim mjetet e duhura. Kërkojmë sqarim nga komuna, por ata thonë se nuk kanë para”, theksoi Serafimovski – transportues.
“Nëse nuk na paguajnë deri para Vitit të Ri, do t’i bllokojmë rrugët dhe hyrjen në komunë. Nuk do t’i lejojmë punonjësit të hyjnë në punë. Kemi shpenzime të mëdha dhe defekte, por nxënësit i kemi transportuar gjithmonë në kohë, ndërsa ata na mashtrojnë dhe tallin. Nuk do të vazhdojmë më t’i bartim nxënësit. Për më tepër, do t’iu tregojmë punonjësve të komunës se nuk mund të durohet më”, potencoi Xhemail Xhemaili – transportues.
Ekipi i Televizionit 21 ishte zyrën e besuarit të qeverisë në komunën e Gostivarit, Fadil Xhelili, por nga kabineti i tij na thanë se për momentin ai nuk ndodhet aty, pasi është në një udhëtim zyrtar.
