Edhe një natë tjetër transportuesit privatë e kaluan në autobusët e tyre në shenjë proteste, por kësaj here vetëm para Qytetit të Shkupit.
Është e 6-ta ditë me radhë e protestës dhe ende nuk është gjetur zgjidhje për borxhin e tyre. Nga ana tjetër, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, është e vendosur. Thotë se NQP i ka paguar të gjitha paratë që janë paraparë për transportuesit privatë.
“E dini si, ne që në ditën e parë ishim transparentë lidhur me shumat që janë paguar. Unë pash dje njerëz që në televizion thanë se nga 3-4 muaj nuk u është paguar, ndërsa qytetarët e dinë se NQP ka marrëveshje vetëm me një person juridik dhe atij personi juridik i paguhet vazhdimisht. Ja ku janë pagesat që i janë bërë çdo ditë atij personi juridik. Ky person juridik, kur dhe si i ka paguar këta persona të cilëve u ka borxh, ne këtë nuk e dimë”- deklaroi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Arsovska mbështet të drejtën për protesta megjithatë shton se qytetarët nuk janë ata të cilët duhet të pësojnë. Sipas saj drejtuesit e “Slloboda prevoz” dhe “Mak-ekspres” vetë e kanë sjellë gjendjen për shkëputje të marrëveshjes me Qytetin e Shkupi, sepse nëse transportuesit ndalojnë të vozitin më shumë se dy ditë, me automatizëm marrëveshja shkëputet!
Sipas kreut të VMROD-PMNE-së, Hristijan Mickoski, shkupjanët janë viktima të siç e quan ai “koalicion i kaosit”. Shtoi se ka mënyra se si mund të zgjidhet ky problem nga Arsovska dhe Qeveria.
“E para ose qeveria të sigurojë para nëpërmjet transferimit ose hua për Qytetin e Shkupit dhe pastaj ato t’i paguajnë detyrimet kundrejt transportuesve privat. E dyta, në vend që paratë të përfundojnë tek njerëz që janë të afërt me LSDM-në, familjarë të Arsovskës, apo njerëz nga biznesi i kontabilitetit, dallimet për naftën e blerë nga NPQ, të përfundojnë në NPQ për të paguar detyrimet ndaj transportuesve privatë”- tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së
Nga ana tjetër, LSDM-ja fajtor për kaosin në Shkup e bën VMRO-DPMNE-në dhe Arsovskan.
“Në vend se modern, qytetarët fituan qytetet të bllokuar dhe kaos. Në vend të autobusëve të ri, edhe ato që i kanë nuk vozisin. Në vend se të kemi transport publik modern, nuk kemi as transport. Për shkak të “duarve në mjaltë” grindjeve mes Mickoskit dhe Arsovska paguajnë qytetarët e Shkupit”- pohoi Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.
Sa i përket premtimit të Arsovskës, për transport publik falas, ajo thotë se aktualisht Qyteti po lufton me krizë, por zotohet se kur të tejkalohet kriza, do të realizohet gjithçka që u është premtuar qytetarëve.
