Rreth 200 persona presin për transplantim të organeve. Nevojë më të madhe sipas listës ka për veshka, pastaj për zemër dhe më së paku për mëlçi. Në Maqedoninë e Veriut po vërehet një rritje graduale e vetëdijes për dhurimin e organeve, një temë që për vite me radhë ka qenë e ndjeshme. Sfidat si mungesa e dhuruesve dhe pritjet e gjata për pacientët ende mbeten – thotë Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, i cili paralajmëron nisma për ngritjen e vetëdijes.
“Lista e pritjes së pacientëve për ndonjë organ është shumë e madhe, janë qindra, e nga ana tjetër lista e donorëve potencial është shumë e vogël, pra ky disbalans ndërmjet nevojës së ndonjë organ dhe donorëve potencial është një disbalans i madh. Uroj që ky gep ndërmjet nevojës dhe dhurimit të organeve të zvogëlohet. Potencoj edhe një herë se me një qasje për informim të drejtë dhe në kohe reale të qytetarëve do të mund të rritet edhe lista e donorëve potencial që do të mund nesër në raste të tilla të dhurojnë ndonjë organ”, tha Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Koordinatorja nacionale për transplantim, profesoresha Biljana Kuzmanovska, shpjegon se cilët persona mund të dhurojnë organe. Fillimisht mjekët e specializuar diagnostikojnë vdekjen cerebrale sipas kritereve mjekësore dhe ligjore, vijon verifikimi i pëlqimit për dhurim, më pas vlerësimi mjekësor i donatorit, krahasohet me pacientët në pritje dhe në fund planifikimi i transplantimit.
“Nuk mundet secili donor i vdekur, nuk mundet nga secila sëmundje, por pacientë që kanë sëmundje të trurit, ajo mund të jetë gjakderdhje, traumë pas aksidenteve, i cili trajtohet në repartin intensive dhe ku organet janë relativisht të ruajtura dhe të shëndetshme”, u shpreh Biljana Kuzmanovska – Koordinatore nacionale për transplantim.
Pas kësaj mobilizohen shumë ekipe mjekësore sepse procesi është shumë i ndërlikuar dhe duhen analiza të detajuara, dhe siç shpjegon anesteziologu, roli i të cilit është shumë i rëndësishëm.
“Në fillim niset me ekplantim, në këtë proces të nxjerrjes së indeve është i përfshirë anesteziologu, ku punojnë ekipet kirurgjike në korrelacion me anesteziologun, gjithashtu në njohjen e donatorit të vdekur përfshihen anesteziologët edhe në vlerësimin e vdekjes. Në orët e vonshme të natës mblidhen ekipet, zakonisht natën por ndodh edhe në orët e para të mëngjesit dhe fillohet paralelisht transplantimi i organeve sepse organet nuk mund të presin gjatë”, theksoi Ardijan Kartalov – Anesteziolog.
Në vitin 2024, pati gjithsej dy donatorë të vdekur dhe u kryen transplante të shumëfishta organesh. Në vitin 2025 deri më tani ka pasur 3 transplante nga donatorë të vdekur, gjatë të cilave janë transplantuar më shumë organe.
