Trampi e kufizoi pranimin e refugjatëve në SHBA në nivel të ulët rekord

TË FUNDIT

Administrata e presidentit amerikan Donalld Tramp kumtoi se vendi vitin e ardhshëm do të pranojë në nivel të ulët rekord jo më shumë se 15.000 refugjatë, edhe përkundër zhvendosjes në rritje në mbarë botën, duke e përforcuar pozitën e vet një muaj para zgjedhjeve.

Departamenti amerikan i Shtetit e kumtoi numrin vetëm gjysmë ore para fillimit të vitit fiskal 2021, duke e përmbushur afatin e përcaktuar me ligjin amerikan, pas kritikave nga Kongresi amerikan.

Numri prej 15.000 refugjatëve, maksimumi që mund të lejohet në 12 muajt në vijim, përveç nëse nuk vjen deri te ndryshimi në administratë, është ulje shtesë për 18.000 refugjatë nga viti i kaluar dhe ulje drastike e mbi 100.000 refugjatëve në kohën e ish-presidentit Barak Obama.

Trampi tashmë disa muaj, këtë vit, tërësisht ndërpreu së pranuari refugjatë, duke e arsyetuar vendimin e vet me pandeminë e Kovid-19.

Duke e sqaruar numrin e ri të propozuar të refugjatëve, për të cilin nevojitet miratim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit sqaroi se SHBA-ja dëshiron t’u ndihmojë personave të zhvendosur “sa më afër shtëpive të tyre”, gjithnjë derisa nuk mund të kthehen.

“Po fokusohemi para së gjithash në vënien fund të konflikteve që shkaktojnë zhvendosje dhe sigurim  të ndihmës së huaj humanitare për mbrojtje dhe ndihmë të personave të zhvendosur. Me këtë mund t’i parandalojmë efektet destabilizuese nga zhvendosja e këtillë ndaj vendeve të goditura dhe fqinjëve të tyre”, thuhet në kumtesën e Departamentit amerikan të Shtetit./MIA