Tragjedia në Çair, i lënduari nën kujdes intensiv, Elezi: Pacienti është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë

TË FUNDIT

Dy të vdekur dhe një i lënduar ishte bilanci i tragjedisë në Çair në të cilën humbën jetën dy vëllezër dhe një mbeti i lënduar. E.A 55 vjeçarë është personi i lënduar i cili i mbijetoj tragjedisë nga ku me asistencë të ndihmës së shpejtë u transferua në spitalin e qytetit “Shën Naumi i Ohrit”. Nga dita e tragjedisë kanë kaluar dy ditë, dhe E.A 55 vjeçarë vazhdon ende të jetë i shtrirë dhe nën përkujdesje intensive.  Kirurgu Burim Elezi për Tv21 thotë se gjendja e pacientit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

“Pacienti është sjellë me lëndime në regjione të ndryshme të trupit. Momentalisht gjendet në repartin intensiv, është në gjendje stabile janë bërë të gjitha investigimet diagnostike d.m.th bëhet fjalë për lëndime në regjione të ndryshme, mirëpo pacienti është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Në ditët e ardhshme mendojmë të vendoset në repart dhe mbas asaj për disa ditë pritet ta lëshojmë edhe për mjekim shtëpiak”, thotë kirurgu Burim Elezi.

Për tragjedinë në Çair në të cilën dy vëllezërit e humbën jetën hetime ka ngritur prokuroria publike. Nga atje, për Tv21 thonë se Prokuroria Themelore i ka marrë të gjithë masat e nevojshme për zbardhjen e rastit.

“Janë dhënë urdhra për mbledhjen e të dhënave dhe verifikimin e fakteve. Është dhënë urdhër për kryerjen e obduksionit të dy trupave të pajetë. Pas arritjes së materialit të kërkuar, kontrollit të tij dhe analizës do të merret vendim nga prokuroria themelore për veprim të mëtutjeshëm”, thonë nga Prokuroria Themelore për Tv21.

Nga Komuna e Çairit informojnë se janë në pritje të raportit final të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kurse në ditën e ngjarjes tragjike nga Komuna e Çairit dolën me kumtesë nga ku pohuan se kompania e angazhuar për kryerjen e punimeve në të cilën humbën jetën dy vëllezërit A.M dhe M.M nuk ka respektuar normat ligjore./TV21