Tragjedi në Alpet zvicerane – Zjarr fatal gjatë Vitit të Ri! Dëshmitarët: Tavani u ndez shpejt nga piroteknika, pamë tym të zi

TË FUNDIT

Dhjetëra persona kanë humbur jetën dhe rreth 100 të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre rëndë, pas një zjarri që shpërtheu në një bar në Alpet Zvicerane gjatë festimit të Vitit të Ri.

Helikopterë dhe autoambulanca u nisën me urgjencë drejt vendit të ngjarjes për të ndihmuar viktimat, përfshirë edhe disa nga vende të ndryshme, thanë zyrtarët. Raportohet se shumë nga të plagosurit kanë djegie të rënda dhe repartet e kujdesit intensiv në spitalet lokale janë të mbushura, ndaj disa pacientë janë transferuar në spitale të kantoneve të tjera.

Komandanti i policisë së Kantonit Valais, Frederik Gisler, Konfirmoi se “disa dhjetëra persona” kanë vdekur dhe se po punohet për identifikimin e viktimave dhe njoftimin e familjeve të tyre, por sipas Gisler “kjo do të marrë kohë dhe për momentin është e parakohshme të japim një shifër më të saktë”.

Beatrice Pilloud, kryeprokurore e Kantonit Valais, tha se është ende herët për të përcaktuar shkakun e zjarrit.

Dëshmitarët e tragjedisë pretendojnë se zjarri është shkaktuar nga mjete piroteknike. Mediat zvicerane publikuan deklaratat e dëshmitarëve që thonë se kanë parë piroteknikë dhe më pas kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm.

“Në natën e Vitit të Ri kishte shumë fishekzjarre, edhe pse ishin të ndaluara. Pastaj u dëgjua një shpërthim shumë i fortë. Pas kësaj dëgjova disa ambulanca,” rrëfeu një turist nga Londra për “Blick”.

Një 19-vjeçar ka deklaruar për “24er” se mjetet piroteknike të vendosura mbi shishe me pije kanë shkaktuar zjarr në tavanin e barit. Sipas tij, tavani u përfshi shumë shpejt nga flakët, gjë që më pas çoi në panik dhe vrapim drejt daljes nga salla që ndodhej në bodrum, ku arrihej përmes shkallëve që çonin në një korridor.

Andrea Eklesi, pastrues i ndërtesës pranë barit, i cili priti banorët e evakuuar të godinës ku ndodhet “Le Konstelasion”, dëshmoi se “njerëzit bërtisnin, pamë tym të zi, era ishte e tmerrshme”.

Zyrtarët e përshkruan zjarrin si një “përhapje e menjëhershme dhe e plotë e zjarrit”, një term zjarrfikës që përshkruan mënyrën se si një zjarr mund të shkaktojë çlirimin e gazrave të djegshëm, të cilët më pas mund të ndizen dhunshëm.

“Kjo mbrëmje duhej të ishte një moment feste dhe bashkimi, por u shndërrua në një makth”, tha kreu i qeverisë rajonale Mathias Rénard. -Të plagosurit ishin aq të shumtë, sa që njësia e kujdesit intensiv dhe salla e operacionit në spitalin rajonal arritën shpejt kapacitetin maksimal, tha Rénard.

Këshilli Shtetëror mori vendim që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme nga 1 janari në orën 09:00 të mëngjesit.

Policia theksoi se nuk ka indikacione se bëhet fjalë për një sulm terrorist dhe se zjarri nuk është shkaktuar nga një mjet shpërthyes.