Roja detare e Italisë ka gjetur trupat e pajetë të së paku 9 imigrantëve, të cilët u mbytën pasi që një anije me 150 persona u përmbys në afërsi të brigjeve të Libisë.
Ekipet shpëtimtare arritën të nxjerrin të gjallë 144 persona nga uji dhe janë duke kërkuar udhëtarët tjerë të anijes, e cila u përmbys rreth 130 kilometra larg brigjeve të Libisë.
Ende nuk dihet se sa imigrantë kanë qenë gjithsej në anije, e nuk dihet as përkatësia e tyre kombëtare.
Të dielën roja detare e Italisë kumtoi se vetëm gjatë fundjavës në Detin Mesdhe ka shpëtuar mbi 2700 persona dhe numri i imigrantëve që po lundrojnë drejtë brigjeve italiane është shtuar gjatë ditëve të fundit, për shkak të motit të mirë që po mbretëron.
Sipas njoftimeve të agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian, Fronteks, numri i migrantëve që gjatë vitit 2014 kanë hyrë në mënyrë ilegale në shtetet e unionit ka qenë 276 mijë, 220 mijë prej të cilëve në shtetet e unionit kanë hyrë nëpërmjet Detit Mesdhe.RTV21
