Toshkovski kërkon ndryshimin e ligjit për pasaportat/ “Gjermania e Zvicra i lejon të lëvizin, ndërsa ne i kemi robëruar qytetarët tanë”

TË FUNDIT

Turp është që Maqedonia t’i robërojë qytetarët në territorin që jemi, ndërsa të njëjtit lirshëm mund të lëvizin në Gjermani, Zvicër, Shqipëri e Kosovë. Kështu u shpreh ministri I Brendshëm Pançe Toshkovsi i cili thotë se pushteti vazhdimisht i ka gënjyer qytetarët në lidhje me këtë problematikë. Ai u bëri thirrje deputetëve që të votojnë pr/ligjin që ai e ka dorëzuar në Kuvend, për vazhdimin e vlefshmërisë së pasaportave me emrin e vjetër.


“Është e qartë se MPB po bën maksimumin që ka në dispozicion dhe dua të përsëris zgjidhjen e hallit të qytetarëve. Ajo zgjidhje është 61 deputetë, ta meritojnë pagën që e marrin nga ata qytetarë të njëjtë dhe ta shtypin atë pullë të shkretë, ashtu siç e ndryshuan Ligjin për Siguri në Komunikacion, dhe të zgjidhin problemin e qytetarëve. Nëse tentojnë të dalin nga Maqedonia ne nuk i lëshojmë sepse i tillë është ligji ndërsa të njëjtit mund të lëvizin në Gjermani, Zvicër, Shqipëri dhe Kosovë.”- tha Pançe Toshkovski – Ministër I Brendshëm.

I pyetur për rrëmujën me nxjerrjen dhe vlefshmërinë e dokumenteve personale, ish kryeministri dhe kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, fajin ia lë opozitares VMRO-DPMNE, për të cilën thotë se doli kundër Maqedonisë së Veriut. Ndërsa për faktin që ka qenë kryeministër dhe si ka kontribuar, Kovaçevski shpjegoi si ka vajtur procedura.

“Marrë parasysh se së pari nënshkruhet marrëveshja, vijuan ndryshimet kushtetuese, zhvillimi i procedurës për blerje me partnerë ndërkombëtarë, porositja e formularëve, e në të njëjtën kohë u soll edhe Ligji për gjuhët, e prej dy modeleve që kishim në vend tani duheshin më shumë, sepse qytetarët duhej të kishin dokumente jo vetëm në shqip ose maqedonisht por edhe në serbisht, boshnjakisht, turqisht dhe kështu më tej. Edhe e gjithë kjo e ka komplikuar procedurën.”- tha Dimitar Kovaçevski – kryetar i LSDM-së.

Disa vende evropiane, disa prej tyre edhe anëtare të zonës Shengen, lejojnë hyrjen dhe daljen në pikat e tyre kufitare me pasaportë me emrin e vjetër kushtetues – Republika e Maqedonisë. Bëhet fjalë për Gjermaninë, Zvicrën dhe Bullgarinë dhe shembulli i tyre nuk përjashtohet të ndiqet edhe nga vendet e tjera të Evropës, informon 360 gradë.