Oda e Mjekëve propozon që anesteziologut “tiktoker” Valton Dervishit t’i merret licenca për 7 vjet. Sa i përket mundësisë për marrje të përhershme të licencës së punës, nga Oda sqarojnë se për këtë gjë vendos Gjykata.
“Për thyerje të kodit etik, të punës sonë etike, më shumë çka mund të bëjmë është marrja e licencës të përkohshme në maksimum për 7 vite. Marrja e licencës të përkohshme në bazë të rregullores është në bazë të vendimit të gjykatës. Për mos shërbim të papërgjegjshme ndaj pacientit, vdekje të pacientit apo dëmtim të përhershme të shëndetit të pacientit.”- tha Kalina Grivçeva Stardelova, Kryetare e Dhomës së Mjekëve.
Në video-skandalin ku duket se si anesteziologu Valton Dervishi tregon live gra shtatzëna, duket po ashtu se aty pranë ka edhe personel mjekësor. Pra kolegët e Dervishit e kanë parë se ai po komunikon me video dhe nuk kanë reaguar se mund të shkelet privatësia e grave shtatzëna që janë në repartin e gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës.
TV21 pyeti Prokurorinë nëse ndonjë nga kolegët e Dervishit do të vihet para përgjegjësisë për mosraportim për punën joetike dhe joprofesionale të kolegut? Nga Prokuroria thonë se hetimi ende po vazhdon dhe se si dëshmitarë janë ftuar edhe të punësuar, por edhe pacientë.
“Në këtë fazë të procedurës, Prokuroria Publike e Tetovës është duke punuar në mënyrë intensive për të siguruar dëshmi, kryhen marrjet në pyetje e të gjithë personave që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit. Se çfarë kanë deklaruar dëshmitarët për momentin nuk mund të tregojmë. Nëse gjatë procedurës sigurohen dëshmi për përfshirjen edhe të personave të tjerë bë kryerjen e veprës penale, Prokuroria do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj ligjore.”- thanë nga Prokuroria Themelore – Tetovë.
Përndryshe, mosmbrojtja e privatësisë dënohet me nenin 3, pika 4 të Ligjit për Mbrojtjen e Pacientëve, fshehje e veprës, që Kodi Penal e dënon me burg deri në një vit.
Më 14 prill anesteziologu nga Tetova në orët e paradites kishte hyre live në “TikTok” nga dhoma e pastrimit në Gjinekologjinë e Tetovës. Pas shpërndarjes së videos në rrjet dhe raportimit edhe në TV21, drejtori i Spitalit e denoncoi rastin në polici, pas çka anesteziologu u arrestua dhe me propozim të prokurorit, gjykatësi i procedurës paraprake ka caktuar masën e paraburgimit 8-ditor.
