Thuajse 21.600 punëtorë në mars nuk e kanë marrë pagën e janarit, tregojnë të dhënat e fundit të Drejtorisë së të Ardhurave Publike që i kërkoi TV21. Numrat tregojnë se pagë për punën e kryer në janar deri më tani nuk kanë paguar mbi 10.200 pronarë.
Për janar:
70.322 punëdhënës duhej të paguanin pagë 500.001 punëtorëve
deri më 4 mars – 10.204 punëdhënës nuk ua kanë paguar pagën 21.583 punëtorëve
Numrat janë alarmante nëse merret parasysh fakti se deri në afatin ligjor – 15 shkurti pa pagën e janarit dhe pa sigurim shëndetësor dhe pensional mbetën rreth 82 mijë punëtorë. Gati 24 mijë kompani prej mbi 70 mijë nuk arritën t’i paguajnë pagat brenda afatit ligjor.
Deri në afatin ligjor- 15 shkurt, pa pagën e janarit 81.511 punëtorë
23.797 kompani nga gjithsej 70.322 nuk i kanë paguar pagat brenda afatit ligjor
Me vonesë kanë paguar 13.593 punëdhënës për rreth 60.000 punëtorë
Edhe punëdhënësit konfirmojnë se situata ekonomike është e pasigurt dhe aktiviteti ekonomik është ulur. Konfederata e Bizneseve të Maqedonisë thotë se kalkulimet e çmimeve, ndërhyrjet direkte në ekonominë e tregut të lirë dhe kalkulimet me pagën minimale krijojnë pasiguri te bizneset. Për ta është serioz numri prej 82 mijë punëtorëve të cilëve nuk u janë paguar pagat brenda afatit ligjor.
“Së pari, duhet të them se shifra është serioze në krahasim me vitin e kaluar, kur në një periudhë të caktuar 20 deri në 25 mijë punëtorë nuk kanë marrë paga. Ky është një tregues tipik i aktivitetit të dobët ekonomik, pasigurisë ekonomike dhe uljes së përgjithshme ekonomike, veçanërisht në sektorin privat”, tha Mile Boshkov.
Boshkov me apel qeveria të mos miratojë zgjidhje ad-hok të cilat drejtpërsëdrejti do të ndikojnë në biznes. Fajin e sheh te kompanitë të cilat, siç thotë, e kanë më të lehtë të mos ua paguajnë pagat punëtorëve.
“Fatkeqësisht, zgjidhja më e lehtë për punëdhënësit, me keqardhje e konfirmoj këtë, është mospagesa e pagave apo kalkulimi me pagat e punëtorëve. Sepse ata nuk dinë ende se si të menaxhojnë në mënyrë digjitale kompanitë, kostot ose si të heqin dorë në mënyrë optimale nga disa të mira kapitale në mënyrë që ato të jenë të qëndrueshme. Gjëja më e lirë, më e lehtë për ta janë fillimisht punëtorët, e më pas gjithçka tjetër”, tha Boshkov.
Por ajo që është më alarmante është se është e pasigurt nëse ata rreth 22.000 punëtorë do të marrin pagën e janarit. Disa nga shefat e tyre as nuk i kanë dorëzuar përllogaritjet. Drejtoria e të Ardhurave Publike thotë se janë duke bërë një analizë të disa punëdhënësve të cilët shpesh nuk i dorëzojnë përllogaritjet e M-PIN-it, për të kontrolluar besueshmërinë e të dhënave.
