“Thika na është ngulur në gjur, jo afër gjurit”! Protestojnë policë, zjarrfikës, punëtorë shëndetësorë dhe të arsimit

TË FUNDIT

“Situata është tepër alarmante”, porositën nga Konfederata e Sindikatave të Pavarura në protestën e sotme para Qeverisë, duke kërkuar takim me kryeministrin Zoran Zaev. Policë, ushtarakë profesionistë, punëtorë shëndetësorë, të punësuar në arsim, zjarrfikës dhe administratorë, të gjithë me kërkesa dhe vërejtje të tyre për shkelje të të drejtave të punëtorëve.


“E pamë çka ndodhi në këtë periudhë, veçanërisht në këtë situatë me Covid. Pronarët nuk kishin mëshirë, në një situatë të tillë i pushojnë punëtorët nga vendet e tyre pune. Ata u guxuan madje ta marrin edhe rrugën tonë. Hynë në grevë odat, hynë në grevë pronarët, kjo nuk do ta lejojmë. Edhe përmbaruesit hynë në grevë, mbetet që edhe bankat me milionat e tyre të dalin përpara me bajrak”, tha Marjan Risteski – kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura.

Nga policia ankohen se marrëveshjen e fundit kolektive e kanë nënshkruar para 6 vjetëve. Ata kërkojnë edhe uniforma të reja, sepse në të kundërtën, siç tha kryetari i Sindikatës së Pavarur të Policisë, Goce Dellçev, në protestën e ardhshme do të vijnë me pantallona të shkurtra.


“Pa Sindikatën e Pavarur, pa uniformën, çizmet dhe armën nuk do të mund të kalojë as marrëveshja kolektive, as sistematizimi i ri, e as diçka tjetër që ata e përgatisin në kuadër të Ligjit për Polici, kurse e mbajnë në sekret. Këtë nuk do t’ua lejoj”, u shpreh Goce Dellçev – kryetar i Sindikatës së Pavarur të Policisë.

Nga ana tjetër, të punësuarit në arsim kërkojnë t’u paguhen të gjitha orët, pasi siç thonë, paralelisht kanë mbajtur edhe mësim online, edhe mësim me prani fizike. Rikujtojnë edhe për rrogat e vonuara.


“Sot nuk jemi këtu për të lutur ministren. Para 7-8 muajve ia përmendëm ministres së Arsimit se rrogat po vonojnë. Nuk paguhen në afatin e paraparë ligjor. Ajo vendosi t’i injorojë kërkesat tona”, u shpreh Tomisllav Gievski – kryetar i Sindikatës së Pavarur të Arsimit. 

Vërejtjet e tyre i drejtuan deri te ministrat e MPB-së dhe MASH-it, kurse fjalë miradije kishin për ministrin aktual të Bujqësisë, Arjanit Hoxha, i cili pjesëtarëve të Policisë Pyjore ua ka rritur rrogën për 30%. “S’ka drejtësi, s’ka paqe” ishte parulla e sindikatave të pavarura kur para 4 vjetëve kishin vendosur tenda para godinës së Qeverisë. Tani u porosisin organeve kompetente të mos i sfidojnë sërish që t’i nxjerrin tendat, por t’i respektojnë të drejtat dhe kërkesat e punëtorëve.

TË NGJAJSHME