Me plagë nëpër trup, në veturën e tij, te parkingu i poliklinikës “Hekuranë” është gjetur nga djemtë e tij 67 vjeçari me iniciale A.T, i cili me profesion ishte mjek.
“Këtu tek parkingu i poliklinikës “Zhelezara” mbrëmjen e djeshme është therur një person me thikë, i cili ka ndërruar jetë, këtë e bëjnë të ditur nga Prokuroria publike, nga ku njoftojnë se trupi i të ndjerit është gjetur nga djali i tij”, njofton Fazile Halili, gazetare e TV21.
Nga MPB sqarojnë se djemtë e tij kishin filluar ta kërkojnë pasi ai nuk ishte kthyer nga puna për në shtëpi. Ndërsa për zbardhjen e rastit thonë se po merren masa.
“Më datë 21.03.2024, në ora 23:09, në SPB-Shkup është raportuar se A.T. (67) nga Shkupi në automjetin e tij “Kia” me targa të Shkupit, në park afër ish-klinikës “Zhelezara”, është gjetur me plagë nëpër trup, ai është gjetur nga djemtë e tij, të cilët kanë nisur ta kërkojnë pasi ai nuk është kthyer nga puna në shtëpi. Mjeku i Emergjencës e ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar për obduksion. Po merren masa për zbardhjen e rastit”, njoftuan nga MPB-ja.
Nga prokuroria thonë se Prokurori publik kujdestar ka kryer inspektimin në vendngjarje dhe është dhënë urdhër për grumbullimin e të gjitha gjurmëve.
“Prokurori publik ka lëshuar urdhër për obduksion, si dhe urdhër për grumbullimin dhe analizimin e të gjitha gjurmëve të gjetura në vendngjarje dhe sigurimin e pamjeve të video vëzhgimit. Po ndërmerren masa për zbardhjen e ngjarjes”, thanë nga Prokuroria.
Deri tani nuk dihen motivet e vrasjes dhe të dyshuarit për vrasje. Oda e mjekëve reagoi për vrasjen, duke thënë se “humbja e mjekut është humbje e gjithë sistemit shëndetësor”, nga ku theksojnë se asnjë lloj dhune në shoqëri nuk duhet toleruar dhe për këtë kërkojnë menjëherë zbardhjen e rastit.
