Tetovë, ura e nisur në vitet ’90 ende pa zgjidhje! Falishti pret lidhjen me rrugën Tetovë-Shkup

TË FUNDIT

Një tabelë e cila të orienton, por në fakt të dërgon në një rrugë pa krye. Në rrugën e vjetër Tetovë–Shkup, sinjalistika të orienton drejt fshatit Falisht. Në vijë ajrore, distanca është më pak se dy kilometra. Por në realitet, rruga nuk ekziston. Për të mbërritur në destinacion, shoferëve u duhet të bëjnë një xhiro absurde prej shtatë kilometrash. Ironia bëhet edhe më e madhe në fund të kësaj rruge me zhavorr. Aty të pret një urë e nisur që në vitet e ’90-ta, që sot ka ngelur thjesht si një monument harrese mbi lumin Shkumbin. Përveç bllokimit të bizneseve, kjo urë e lënë gjysmë mban peng edhe qarkullimin e lirë të banorëve të Falishtit dhe Strimnicës, të cilët detyrohen të futen nëpër kaosin e qytetit të Tetovës për të dalë në Shkup.

“Kjo është rruga më e vjetër në Pollog. Është rruga e Mëndafshit. Rruga Tiranë-Stamboll. Edhe viteve të ’90-ta kur u rregullua kjo rruga, autostrada Tetovë-Shkup, e ka rregulluar Mavrova. Mavrova, prandaj kanë pasur interes për të marrë lëndë të parë në fshatin Falish, edhe e morën qëndrimin ato ta rregullojnë këtë urën. Kështu që përgjigja ishte kjo më lirë, më mirë u bënte. Mirëpo për ato gjëra të paqarta, do të jetë e thënë nga ana. mënyra se si i bënë këmbët e urës, ato e ndalën, edhe nuk u rregullua ura. Sepse përndryshe, kjo është shumë me rëndësi, kjo rrugë të rregullohet edhe kjo urë. Kjo na konvenon edhe neve, na konvenon edhe qytetarëve të Falishit, fshatit Strimnicë ato e kanë hyrje-dalje, e kanë më mirë e kanë, më afër për të shkuar në Shkup apo për në Tetovë.”

“Këmbët e urës janë bërë edhe e lanë gjysmë. Përse, nuk e dimë. Atje lart te rruga i kanë vënë tabelat për se kalohet për në fshatin Falish. Hynë njerëzit me kamionë, me autobusa, ngenë këtu në mes të rrugës, shkaku për një urë.”

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore premton se faza e dytë e qarkores do të rregullojë përfundimisht këtë kaos, duke lidhur Falishtin me rrugën rajonale.

“Pas përfundimit të fazës së parë të qarkores Neproshten-Trebosh do të fillojmë punimet me fazën e dytë të qarkores Terbosh dhe aty planifikohet qe edhe rruga per fshatin Falishtë të rregullohet-asfaltohet deri te rruga regjionale Zhelinë-Tetovë”, tha Tahir Tahiri, drejtor i NPRSH

Zgjidhja premtohet përmes qarkores së re Neproshten-Trebosh, por deri në asfaltimin e premtuar, banorët do të vazhdojnë të shohin një urë që nuk të dërgon askund dhe që i ndan nga Zona e Lirë Ekonomike për vetëm pak metra lum.