Tetovë, pesë të vdekur dhe 123 të hospitalizuar, edhe të rinjtë e infektuar po kanë nevojë për oksigjen

TË FUNDIT

Me pesë raste të vdekjes dhe 123 të hospitalizuar Tetova vazhdon të  jetë në zonën e kuqe sa i përket të infektuarve me Covid 19. Në spitalin e Tetovës brenda 24 orëve 179 pacientë kanë marr ndihmë mjekësore që tregon se numri  i atyre që mund tu përkeqësohet gjendja dhe të kërkojnë shtrim në spital është akoma shumë i madh. Ajo që është më shqetësuese është se mosha e atyre që kanë nevojë për oksigjen nuk është më mbi 65 vjeç, por ka edhe më të rinj që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

 “Tani kemi 123 pacientë të hospitalizuar prej këtyre 11 janë me dozën e parë edhe tre vetëm me dozën e dytë. Sa i përket pranimit kemi një numër të madh. Kemi 14, ku prej këtyre kemi edhe me moshë të re kemi 35 vjeçar, 49 dhe 45  vjeçar. Më  nuk dominon mesatarja mbi 65 vjeç por kemi edhe në atë moshë  që tregon se edhe  më të rinjtë janë të rrezikuar. Sa i përket rastit të numrit të vdekjeve fatkeqësisht kemi pas pesë raste ku më i riu ka qenë i vitit 1972 që tregon se edhe më të rinjtë vdesin”, tha Gëzim Nuredini – koordinator i Covid-Qendrës në Tetovë.

Sipas Nuredinit  tash më me hapjen e spitalit të Kozles për të infektuarit nga Tetova, në spital nuk do të mbyllen reparte tjera, ndërsa shumica e qytetarëve të infektuar kërkojnë që të hospitalizohen.

“Ne me drejtorin e menduam që edhe t’i mbyllim  edhe pjesët tjera, por nuk e bëmë pasi që tash kemi edhe spitalin i cili është një vend i posaçëm si spital  dhe ka kapacitet mbi 120 shtretër  dhe ne nuk do të pranojmë raste për t’i hospitalizuar që me të vërtet nuk i plotësojnë kushtet  pasi që paniku është më e madhe se që ishte para një jave ose 10 ditëve”, shtoi Nuredini.

Mjeket apelojnë që  qytetarët të vaksinohen, por të kenë kujdes gjatë procesit të vaksinimit të mbajnë distancë edhe të mos grumbullohen pasi që nëse ata shkojnë që të vaksinohen  dhe nuk ruajnë distancën  kanë rrezik potencial për tu infektuar. Televizioni 21 vazhdimisht ka informuar se në pikat e vaksinimit ka turma qytetarësh edhe se në të njëjtat nuk respektohet distanca.