Tetovë, ndërron jetë 21 vjeçari nga Kovidi! Vazhdon të rritet numri i të shtruarve në Spital

TË FUNDIT

Virusi korona po ua merr jetën edhe të rinjve. Në mesin e 6 viktimave në 24 orët e fundit në Tetovë, është edhe një 21 vjecar. Koordinatori i qendrës për Covid në Tetovë thotë se i riu nuk ka pasur sëmundje shoqëruese edhe se me oksigjen është nga data 15 gusht.

“Sa i përket pacientëve që kanë ndërruar jetë, një prej tyre është 21 vjeçar, i cili është pranuar me 15 gusht me gjendje të rëndë. Dy ditët e fundit pacienti ishte në ventilacion jo invaziv ashtu që edhe ndërroi jetë”, deklaroi Gëzim Nuredini – koordinator i Qendrës për Covid.

Në Tetovë të shtuar në spital ka edhe 123 pacientë, ndërsa vetëm brenda 24 orëve janë pranuar 17 pacientë të rinj.

“Fatkeqësisht ne ende kemi numër të madh të pacientëve të hospitalizuar. Numri është 123 dhe brenda 24 orëve kemi pranuar 17 pacientë. Sa i përket statusit vaksinal me dozën e parë kemi 8 pacientë, dhe me dozën e dytë shtatë pacientë, ndërsa në kontrollet ambulatore numri ende është i madh, kemi 188 pacient”, shtoi Nuredini.

Ajo që mbetët më shqetësuese është se akoma vazhdimisht pacientë të ri kërkojnë ndihmë mjekësore. Mjekët bëjnë apel që vetëm vaksinimi i kujdesshëm dhe respektimi i masave do të bëj që numri i të infektuarve të ulet.