Tetovë, mbi 16 mijë klientë nuk paguajnë ujë! Mijëra përdorues jashtë sistemit të faturimit të ujit

TË FUNDIT

Edhe pse në Tetovë aktualisht furnizimi me ujë të pijshëm arrin mbi 400 litra në sekondë, ky burim nuk arrin në të gjitha amvisëritë. Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” thonë se problemi kryesor lidhet me humbjet në rrjetin e vjetërsuar, si dhe me kyçjet ilegale që nuk faturohen.

Sipas tyre, humbjet në rrjet janë të konsiderueshme dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mungesën e ujit në disa zona. Drejtori i ndërmarrjes, Valon Zeqiri, thekson se aktualisht janë rreth 24 mijë konsumatorë të regjistruar që faturohen për ujin, ndërsa, krahasuar me operatorin EVN, i cili në Tetovë ka mbi 40 mijë konsumatorë, diferenca tregon për një numër të madh përdoruesish që nuk paguajnë.

 “Inkasantët që i kemi vetëm se kanë filluar me regjistrimin, por kur kam ardhur unë drejtor ka pasur 21 mijë tash kemi 24 mijë. Tre mijë janë regjistrime të reja dhe çdo ditë ne jemi në terren dhe kemi regjistrime të reja. Diku 16 mijë deri në 18 mijë janë klientë që nuk paguajnë dhe t’i llogaritësh vetëm taka që janë 100 denarë është një shumë që mund të mbulohen rrogat e të gjithë punëtoreve me ato mjete”, tha Valon Zeqiri –NPK Sharri.

Nga ana tjetër, qytetarët e Tetovës shprehen se ujë ka, por kërkojnë menaxhim më të mirë dhe pagesë të drejtë për të gjithë.

-Ujë ka në Tetovë edhe fshatrat mbushin me bidonë të mëdha, por punë duhet çdo ditë, a ujë ka në Tetovë, por harxhohet se fsharat i ke në Tetovë.  A duhet paguhet uji? Patjetër duhet të paguhet.

 -Duhet të paguhet uji. Është një gjë shumë më rëndësi më me rëndësi në botë.

-Uji duhet të paguhet edhe ujë duhet të ketë aq është matematika me ujin.

-Ujë s’ka një pjesë që vjen nga Leshnica. Është më shumë se i pa pijshëm. Me sahat duhet dihet kush sa harxhon, dikush ka 2 anëtar paguan sa aj që ka gjashtë anëtar.

Sipas një studimi të fizibilitetit, në Tetovë rreth 35 për qind e ujit humbet në rrjetin e amortizuar, ndërsa edhe 35 për qind tjetër konsumohet por nuk faturohet, kryesisht për shkak të lidhjeve ilegale.