Dikush me mjete mbrojtëse e dikush pa to. Jo të gjithë respektojnë distancën sociale në tregun e gjelbër në Tetovë, i cili u hap për herë të parë pas gjashtë javësh. Qytetarët thonë se ky vendim është i duhur. Mbyllja e tregjeve në ditët e tregut u ka penguar shumë atyre.
Qytetar: “Ne mendojmë se është bërë shumë mirë që është hap tregu, dhe do të duhet të hapen të gjitha shitoret. Të gjithë i respektojnë rekomandimet të gjithë mbajnë maska, doreza, problem nuk ka, ashtu.”
Qytetar: “Këto janë qëllime politike që i mbyllin dyqanet e tregjet po si do të jetojë ky popull në qoftë se nuk punojnë tregjet, dyqanet, fabrikat, si do jetojë populli?”
Qytetar: “ Sot është e enjte, nuk ka shumë njerëz dhe u përmbahen rregullave”
Qytetar: “Është mirë që është hap, kemi nevojë ne për treg, është ramazan, duhet të lëvizin njerëzit , për masat dikush I respekton dikush jo, ajo që është.”
Nga Komuna e Tetovës, gjegjësisht nga Shtabi i krizës thonë se hapja e tregjeve është në kuadër të masave lehtësuese.
Por në qytetin e Tetovës dhe në komunat e tjera si Prilepi dhe Kumanova akoma është i ndaluar transporti ndërkomunal. Nga Shtabi I krizës thonë se edhe kjo masë do të hiqet gjatë ditëve në vazhdim dhe kjo varet nga numri i të infektuarve të rinj.