Ky është fshati Veshallë. Një fshat në malësinë e Tetovës, 20 kilometra nga qyteti. Në këtë vendbanim rrugët janë të ngushta dhe përplot me gropa. Banorët thonë se ky fshat është harruar nga të gjithë, andaj edhe banorët po e braktisin, madje aty nuk ka as mjek.
Gjendja e rrugës së shkatërruar është problem në vete, ndërsa sipas banorëve, hapja e kësaj rrugë në fillim është bërë me vetë iniciativë të banorëve.
“Këtu neve nuk na merr në dorë askush se çka jemi a kafshë a njerëz mali, askush nuk vjen të na pyesë hallet nuk kemi asgjë vetëm një hoxhë kemi me emër, as bashkësi lokale, as këshilltar. Më jemi lodhur dhe kush si mundet punon. Me fol të marrin për budalla, mos me fol… shikojeni do ecni vet edhe shiheni është e mirë apo jo”, tha një banor i Veshallës.
“Ne si banor detyrohemi ta lëshojmë fshatin për arsyeje të infrastrukturës së dobët të rrugës siç e patë edhe vetë e gjithë është kjo. I bëjmë apel edhe kryetares së komunës edhe vetë komunës që mos të vijë vetëm për zgjedhje por të vijnë të shohin se me çfarë probleme ballafaqohemi”, shtoi një tjetër banor i Veshallës.
Kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi tha se së shpejti pritet të asfaltohet rruga deri në hyrje të fshatit Shipkovicë, ndërsa siç tha, nëse vlerësohet se edhe kjo rrugë ka nevojë për asfaltim do të intervenohet.
“Ne do fillojmë me punime në zonën e malësisë jemi në përgatitje sipër për asfaltim të rrugës Tetovë-Kodra e Diellit për asfaltim deri në fshatin Shipkovicë dhe njëkohësisht ekipet janë duke intervenuar nëse ka nevojë për intervenime shtesë për aksin që thoni ju ajo duhet të vlerësohen nëse duhet të vazhdohet më tutje se tani për tani planifikimi është që të përfundohet deri në fillim të Shipkovicës”, deklaroi Teuta Arifi – Kryetare e Komunës së Tetovës.
Rruga deri në fshatin Brodec është në gjendje të mirë, ndërsa për në fshatin Veshallë dhe Bozovcë nuk është intervenuar me vite të tëra. Fshati Veshallë dhe Bozovcë janë vendbanimet më të afërta me pikat turistike të malit Sharr.
