Tetovë, disa lagje të mbuluara me mbeturina/ Nga Komuna thonë se kanë filluar pastrimin

TË FUNDIT

Mbeturinat e hedhura dhe të papastruara nëpër disa lokacione të Tetovës, po u zënë frymën qytetarëve.
Ata thonë kundërmon erë e keqe dhe kanë frikë që të mos paraqitet ndonjë sëmundje.

“Çka të them, nuk vlen asgjë. Ku të ankohesh se. Nuk mund të hysh brenda atje, sepse nuk ke gjasa të hysh atje brenda . A problem e punëtorë kanë a çfarë problemi kanë s’di. Kjo pesë gjashtë muaj është kështu. Këndej njëherë kishim problem, andej i marrin, këndej si marrin s’di çka është puna. Frikohemi. Infeksione ka.”

“Dy muaj e kanë zënë rrugën dhe nuk mund të kalojmë, era e keqe vjen shumë. Komunës i kisha thënë të vijë t’i mbledhë.”

“Duhet të pastrohet. Deri tek ne vjen era keqe. A mund të jetohet këtu. Vjen era keqe edhe pse është dimër. Komuna duhet të jetë më e vetëdijshme për shëndetin e qytetarëve. Kjo nuk është mirë, po ku të anohemi si ta luftojmë këtë, nuk dimë.”

Nga komuna e Tetovës thonë se kanë pasur probleme të njëpasnjëshme dhe se ka dy ditë që kanë filluar me pastrimin e mbeturinave nëpër lagje.

“Ka nisur aksion gjeneral për pastrimin e të gjitha lokacioneve që kanë ngelur pa u pastruar si pasojë e disa defekteve të njëpasnjëshme. Puna ka filluar para dy ditësh dhe do të vazhdojë edhe më tej.  Nga dita e nënshkrimit të kontratës mes Komunës së Tetovës dhe kompanisë private, është paraparë afat prej 90 ditësh, derisa të kompletohen të gjitha dokumentacionet e nevojshme në aspekte juridike, që ata të mund të fillojnë punën e tyre”- thonë nga Komuna e Tetovës.

Nga Komuna nuk dhanë përgjigje se çfarë do të bëhet me rrogat e të punësuarve të NPK-së që sipas disa të punësuarve që kontaktuam ata nuk kanë marr akoma rrogat e muajit tetor. Muaj më para komuna e Tetovës nënshkroi kontratë me kompaninë “Saubermacher”. Atëherë u tha se nga 1 janari kjo kompani do të fillojë me menaxhimin mbeturinave.