Tetovë, 800 laptopë për fëmijët në nevojë, së shpejti edhe vauçer për internet

TË FUNDIT

Rreth 800 laptopë  janë ndarë në qytetin e Tetovës për nxënësit me kushte të vështira ekonomike, e që nuk kanë mundësi të ndjekin mësimin online. Kështu deklaroi Ahmed Qazimi nga Sektori për veprimtari komunale pranë komunës së Tetovës. Sipas tij laptopët kanë qenë të shkollave, por  me iniciativën e këtij sektori u vendos që tu shpërndahen nxënësve.

“Gjatë ditës së djeshme ne shpërndamë afër 300 laptopë dhe shpërndarja u bë nga ana e shkollave. I njëjti proces vazhdon edhe gjatë ditës së sotme me  numrat që i kanë, edhe gjatë ditës së sotme janë shpërndarë 300 laptopë dhe besoj se deri në fund të këtij procesi deri në  ditën e hënë të shpërndahen përafërsisht 800 laptopë për nxënësit të cilët  kanë nevojë”, tha Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim.

Në mesin e nxënësve që kanë marrë laptopë, janë edhe fëmijët e familjes Hamidi, që Televizioni 21, para disa javësh raportoi për gjendjen e tyre të vështirë ekonomike. Drejtoria e shkollës së fshatit  Bozofcë, ka ndarë  dy laptopë për këtë familje, të cilët kanë gjashtë nxënës në shkollë fillore.

“Edhe në shkollën qendrore në Veshallë, edhe në shkollën periferike në Bozofcë  kemi diku afër 11 nxënës që nuk kanë mundësi të kyçen në mësimin online.  Kemi pasur rast te një familje që  fatkeqësisht nuk kanë rrymë dhe ajo nuk është në kompetencë  tonë edhe pse janë nxënës të shkëlqyeshëm dhe ne sot, në bashkëpunim me sektorin e arsimit dhe komunën e Tetovës vendosëm  që atyre dy familjeve tu shpërndajmë nga një kompjuter laptop”, tha Shefajet Ramadani, Drejtor i SH.F “BESA”.

E Qendra për punë sociale do të japë vauçerë për internet për nxënësit  në nevojë, familjet e të cilëve janë  edhe shfrytëzues të  ndihmave sociale. Paraqitjen  në Qendrën sociale, do të duhet ta bëjnë prindërit e fëmijëve për të siguruar vauçerët e internetit.