Tetovë, 8 nxënës rinovojnë repartin e pediatrisë / 1200 nxënës vullnetarë punojnë në 1 mijë projekte humanitare

TË FUNDIT

Tetë nxënës të shkollave të mesme në Tetovë, si vullnetarë në Projektin për Vlera Humane në kuadër të Kryqit të Kuq, kanë rinovuar repartin e fëmijëve në Spitalin Klinik të Tetovës. Ata kanë organizuar disa aktivitete dhe kanë grumbulluar fonde, të cilat i kanë përdorur për të përmirësuar disa hapësira në këtë repart. Grupi përbëhet nga nxënës të shkollës së mesme ekonomike dhe të mjekësisë.


“Këtu jemi për të parë se çfarë kemi mbaruar me nxënësit që janë aktivistë të Kryqit të Kuq dhe janë duke punuar në realizimin e ideve dhe projekteve. Projektet PEAV janë projekte që promovojnë vlerat humane dhe për momentin mbahen në të gjithë Maqedoninë ku janë të angazhuar mbi 1200 të rinj ku realizojnë mbi 1 mijë projekte edhe mblidhen të holla të konsiderueshme. Edhe në Tetovë kemi 30 nxënës nga paralelet shqiptare dhe 30 nga paralelet maqedonase dhe paralelet shqiptare. I kemi të ndarë në katër grupe ku funksionojnë me aktivitete të ndryshme që i kanë realizuar të gjithë nxënësit”, tha Liveta Latifi, profesoreshë.


Vullnetarët e kryqit të kuq thonë se ky investim është mundësuar duke bërë aktivitete të ndryshme. Sipas tyre qëllimi ka qenë që ata të grumbullojnë më shumë fonde që më pas at t’i dhurojnë në këtë repart.


“Jemi katër grupe. Grupi jonë është fokusuar tek reparti pediatrisë dhe jemi marrë me lyerjen e mureve. Gjithashtu repartit të pediatrisë i kemi dhënë dy peshore, një të madhe, një të vogël dhe pesë inhalatorë”, sqaroi studenti Rinor Jusufi.


“Të gjithë këtu që i shihni, edhe të hollat janë mbledhur duke bërë aktivitete, ku kemi bërë një lokal në qendër, por kemi pasur edhe donatorë dhe ky është rezultati”, theksoi studenti Besnik Mustafi.


Në organizatën e Kryqit të Kuq në Tetovë si vullnetarë në Projektin për Vlera Humane të cilët ndihmojnë në komunitet, janë kyçur 30 nxënës të shkollave të mesme të ndarë në grupe. Gjatë ditës së shtunë, njëra prej grupeve ka organizuar një aksion për grumbullimin e mjeteve për një familje me status të rrezikuar social nga fshati Siriçinë.