Numrat e të infektuarve me Covid-19 po bien, mirëpo numri i viktimave vazhdon të jetë akoma shumë i lartë. Në 24 orët e fundit në Tetovë kanë ndërruar jetë dy persona, e Qendra Covid është e mbingarkuar me 108 pacientë, prej të cilëve 106 janë në oksigjen dhe dy në respiratorë. Vetëm në një familje kanë ndërruar jetë tre anëtare, prindërit dhe e bija, ndërsa dje ndërroi jetë një 15 vjeçare, të cilës para disa ditësh i kishte vdekur nëna po nga virusi korona.
Mjekja Miranda Pajaziti nga Spitali i Tetovës duke shpjeguar se si erdhi deri tek vdekja e tre anëtarëve të të njëjtës familje, tha se kanë ndërruar jetë në shtëpi dhe kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese.
“Pacientja më e re e moshës 36 vjeçare ka qenë me obezitet, sëmundje gjinekologjike dhe sëmundje tjera shoqëruese. Gjithashtu edhe prindërit i ka pasur me sëmundje të rënda, prindi ka qenë me kancer në fazën terminale, ndërsa e ëma me kardiomiopati. Domethënë faktori gjenetik luan rol shumë të madh në këtë drejtim”, njofton mjekja e urgjencës, Miranda Pajaziti.
Mjekja Pajaziti me optimizëm tha se situata po përmirësohet dhe se qytetarët po vetëdijësohen, duke kërkuar ndihmë që në simptomat e para në ambulancë.
“Kemi rritje të numrit të kontrolleve në ambulancë, vetëm mbrëmë kemi pas 146 kontrolle, e kjo domethënë se vetëdija e njerëzve rritet, pasi që nuk vijnë në fazën terminale në spital, por vijnë gjatë simptomave të para. Apeloj te të gjithë njerëzit, që qoftë simptoma më i parë, qoftë ajo një rrjedhje hundësh apo një dhimbje koke, të vijnë në ambulancë dhe të kontrollohen. Të mos vijnë në fazën përfundimtare”, tha më tej ajo.
Të dhënat e javës ës kaluar të Institutit për Shëndet Publik tregojnë se 199 pacientë e kanë humbur jetën si pasojë e virusit korona. Më së shumti viktima janë shënuar në Shkup 46, Tetovë 42, Gostivar 27, Kërçovë 12 dhe Kumanovë 11. Numri më i lartë i viktimave janë mbi 60-vjeç.
