“Tetova transport” po punon me humbje. Komuna ndau 3 milionë denarë, të mjaftueshme vetëm deri në fund të vitit

TË FUNDIT

Ndërmarrja “Tetova transport” është duke punuar me humbje. Drejtorit Rafis Mejdia thotë se rritja e çmimit të naftës ka bërë që kjo ndërmarrje të mos ketë të hyra të mjaftueshme, ndërsa çmimi i biletës ka mbetur i njëjtë

“Tash ne e dimë se çmimet e derivateve janë shumë të larta, a një biletë një udhëtimi është 20 denarë tek ne edhe në mënyrë automatike ne e dimë se nuk mund të mbulohen harxhimet me biletat që shiten brenda ditës ose muajit”, tha Rafis Mejdia, drejtor i “Tetova transport”.

Në seancën e fundit, Këshillit Komunal i ndau tre milionë denarë që ndërmarrja të mund t’i mbulojë harxhimet që i ka. Drejtori shprehet se këto mjete do të mjaftojnë që ndërmarrja t’i mbulojë harxhimet deri në fund të vitit.

 “Jemi duke kalkuluar harxhimet ditore dhe mujore edhe do t’i nxjerrim, këshilli ka ndarë 3 milion denarë që besoj se do jenë mjete të mjaftueshme”, shtoi Mejdia.

Komuna e Tetovës i bleu 5 autobusë me kredi 1.2 milion euro nga Banka Botërore. Grej periudha e paraparë ka kaluar para disa muajsh, ndërsa nga komuna akoma nuk janë përgjigjur sa është kësti mujor që paguajnë për këta 5 autobus. Jozyrtarisht TV21 mëson se komuna duhet të paguajë rreth 8 mijë euro në muaj.