Tetova pa shteg biçikletash/ Kasami dikur i shihte si alternativë, tani thotë se s’ka kushte

TË FUNDIT

Tetova nuk ka korsi për biçikleta, trotuaret janë të bllokuara me makinë të parkuara, andaj ngasësit e biçikletave dhe trotineteve elektrik  detyrohen të lëvizin nëpër korsitë e veturave. E për këtë ata  çdo ditë përballen më dënime nga ana e policisë.

Kryetari i kësaj komuna Bilall Kasami thotë se Tetova nuk ka rrugë që i plotëson kushtet për shtigje të biçikletave ashtu siç i kërkon policia.

“Sa i përket shtegut të biçikletave ne mundohemi  të gjejmë zgjidhje për veturat për qytetarët. Sa i përket shtegut të biçikletave nuk kemi ndonjë rrugë që i plotëson kushtet  të cilat i kërkon policia dhe institucionet tjera  që të mund të jetë e destinuar për biçikleta.”- deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Komunës Tetovës.

Por Kasami  dy ditë para si t’i fitojë zgjedhjet në Tetovë deklaroi se trotinetet edhe biçikletat janë alternativë për kaosin në komunikacionin e Tetovës.

“Rrugët do të jenë të hapura dhe do të ketë transport të mirëfilltë publik, jo me pesë autobusët e Teuta Arifit , sepse nuk ju mjaftojnë tetovarëve vetëm pesë autobus urban. Do të ketë edhe transport alternativë siç janë biçikletat, trotinetet dhe çdo mundësi që tetovarët të lëvizin lirshëm dhe të arrijnë në kohë  në destinacionin e dëshiruar.”- tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës Tetovës.

Në fillim të mandatit Kasami  prishi shtegun e biçikletave me arsyetim se ka një vendim gjyqësor , ndërsa premtoi se do të ndërtoj shtigje për biçikleta me standardet e duhura.

Ndryshe dënimi për lëvizje me trotinet apo biçikletë në korsinë e veturave është nga 50 deri në 80 euro.