Hetimi për vdekjen e ish-pjesëtarit të Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së Turqisë (MIT), Kaşif Kozinoğlu, i cili humbi jetën në burgun e Silivrit në vitin 2011, është rihapur pas më shumë se një dekade. Në kuadër të hetimit të ri, autoritetet turke kanë vendosur të shqyrtojnë edhe disa episode të serialit të njohur “Kurtlar Vadisi Pusu”, për shkak të ngjashmërive të pretenduara mes ngjarjeve në serial dhe rrethanave të vdekjes së Kozinoğlu
“Lugina e Ujqërve” ka qenë seriali i cili në Turqi ka arritur rekorde duke boshatisur rrugët e qyteteve në orarin e transmetimit. Të njëjtin impakt ka patur edhe në vendin tonë.
Në serial shfaqet personazhi fiktiv Kazım Kaşifoğlu, i cili është lidhur nga hetuesit me Kozinoğlu. Vëmendje të veçantë ka tërhequr episodi i transmetuar më 10 nëntor 2011, vetëm dy ditë para vdekjes së Kozinoğlu-t. Në atë episod, Kaşifoğlu paraqitet i mbajtur në një qeli, dhunohet dhe kërcënohet. Kozinoğlu, ndërkohë, vdiq më 12 nëntor 2011 në burgun e Silivrit.
Një tjetër skenë që po shqyrtohet është ajo e episodit 139, të transmetuar më 8 dhjetor 2011, rreth një muaj pas vdekjes së Kozinoğlu-t. Në këtë skenë, Kaşifoğlu shfaqet pasi kishte bërë ushtrime fizike dhe ankohet se i është rritur pulsi. Më pas hyn në dush dhe personazhi “Kara” e vret duke i injektuar ajër me shiringë. Hetuesit po shqyrtojnë edhe elemente të tjera të serialit, përfshirë një automjet me targën “34 FG 7061”, për të përcaktuar nëse këto detaje kanë ndonjë lidhje me çështjen apo janë thjesht pjesë e skenarit.
Në një episod tjetër shfaqet një gur varri ku shkruhet “Erdoğan”.
Skenaristi Raci Şaşmaz deklaroi se ideja që një gur varri të përdorej për të dhënë një mesazh lidhur me Erdoğan-in dhe familjen e tij “nuk është në përputhje me vlerat në të cilat besojmë dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.

Në kuadër të hetimit, skenaristët Raci Şaşmaz, Bahadır Özdener dhe Cüneyt Aysan u thirrën për të dhënë informacion si persona në dijeni të çështjes. Ndërkohë, varri i Kozinoğlu-t u hap më 12 shtator dhe nga ekspertët u morën mostra për ekzaminim mjeko-ligjor, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes dhe nëse ka pasur ndërhyrje të personave të tretë. Hetimi vazhdon dhe deri tani pretendimet lidhur me serialin janë objekt verifikimi, jo përfundime të provuara nga autoritetet.
