Tetova nën shqetësim për ndotjen e ajrit! OJQ-të kërkojnë të merren masa, komuna paralajmëron shtim të inspektimeve

TË FUNDIT

Periudha e ngrohjes në Tetovë ka filluar tash e një muaj, shkaku i temperaturave të ulëta. Ndërkohë, ajri në Tetovë dhe rrethinë gjithnjë e më shumë po ndotet. Të dhënat online për cilësinë e ajrit tregojnë se Tetova është në kufirin e lejuar të cilësisë së ajrit. Shoqatat mjedisore theksojnë se Tetovës i mungon një plan aksionar ekologjik, i cili duhet të bëhet çdo pesë vjet, ndërsa sipas tyre planet vjetore në qytet bëhen më shumë sa për sy e faqe.

“Në bazë të planit aksionar bëhet edhe plani vjetor, në bazë të nevojës dhe problemeve që i ka qyteti, por për fat të keq edhe këto procedura bëhen sa të kalojnë në procedura ligjore, por fatkeqësisht në terren nuk tregohet asgjë. Sendi më i thjeshtë që mund të bëhet është të fillojmë me larjen e rrugëve, sepse për shkak të problemeve me PM2.5, momentalisht janë shumë më të koncentruara dhe më të dëmshme se ajo që ishte më parë me PM10”, tha Elmedina Abdullau.

Nga ana tjetër, nga komuna e Tetovës thonë se tashmë kanë plan afatshkurtër për periudhën nëntor 2025 – mars 2026 dhe po ndërmarrin aktivitete konkrete.

“Inspektorati komunal për ambientin në Komunën e Tetovës, në përputhje me planet dhe rekomandimet afatshkurtra për ajër të pastër, do të shtojë aktivitete në terren gjatë periudhës së sezonit të ngrohjes. Gjatë javëve në vijim do të kryejnë kontrolle më të shpeshta në të gjithë ndërmarrjet, fabrikat për prodhimin e mobileve, punëtoritë dhe automekanikët. Sigurisht qëllimi kryesor është mënyra e funksionit të pajisjeve të filtrimit dhe respektimi i mbrojtjes së ambientit”, tha Besarta Ramadani.

Nga komuna shtojnë se tashmë kanë dalë në terren për të kontrolluar nëse këto punëtori po shfrytëzojnë goma dhe vajra të djegur, dhe nëse hasin në raste të tilla, do të ndërmerren masa ligjore.