Tetova me çerdhe te re, por pa të punësuar / Drejtoresha gishtin e drejton kah ministritë

TË FUNDIT

Çerdhja e re e ndërtuar në lagjen e Vardarit, afër shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë, nuk po lëshohet në funksion për shkak se Ministria e Financave dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale nuk i kanë miratuar vendimet për stafin. Kështu thotë drejtoresha e Çerdhes Rinia në Tetovë, Fatlinda Jaja, duke shtuar se me kuadrin aktual nuk mund të mbulohet objekti i ri. Jahja bën me dije se tanimë kanë siguruar edhe fletpronësinë e objektit të ri, ndërsa për ngecjen, gishtin e drejton kah pushteti qendror.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Komunën e Tetovës, pra sektorin për veprimtari publike. Në Ministrinë për Punë dhe Politikë sociale dhe Ministrinë e Financave. D.m.th ende zyrtarisht nuk kemi se kur do të bëhet edhe hapja e kësaj çerdhe mirëpo fletëpronësinë ne e kemi. Çerdhja është e regjistruar në Komunën e Tetovës dhe së shpejti do t’i jepet në shfrytëzim kopshtit tonë “Rinia”. Mirëpo me këtë kuadër dhe me këtë staf që e kemi ne nuk mund ta hapim çerdhe të re. Neve MPPS dhe Ministria e Financave na e dorëzuan një nga kërkesat tona për punësim përkujdes dhe mësues me përgjigje negative ndërsa për disa të tjera ende presim”, tha Fatlinda Jaja, drejtoreshëe çerdhes “Rinia” Tetovë.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, i pyetur në lidhje me vonesën e lëshimit në përdorim të çerdhes së re, tha se si Komunë kanë bërë gjithçka që është e mundur dhe se tani duhet përkrahja e institucioneve qendrore që të funksionalizohet çerdhja e re.

“Edhe pse po zgjat më shumë se që duhet të lëshimit në përdorim të objektit të ri të çerdhes që është tek shkolla Kirili si dhe në pjesën e punësimeve të kuadrit të ri që është një problem permanent i çerdhes. Ne si Komunë kemi ofruar ndihmën tonë ”, u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami.

Çerdhja e re është financuar nga fonde ndërkombëtare dhe është realizuar nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale.