Çështja e ujit të pijshëm në Tetovë vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur për komunën.
Kryetari Bilall Kasami thotë se deri në zbutjen e motit, është e pamundur ndërhyrja ku është shfaqur problemi. Thotë se Ndërmarrja Komunale nuk ka kapacitet të intervenojë, andaj presin për ndihmë nga kompani të jashtme.
“Vetë ndërmarrja ka qenë deri lart, nuk kanë mundur të intervenojnë, kushtet atmosferike tashmë janë problematike se nuk mund të shkohet deri tek vendi ku ka ndodhur, për shkak të reshjeve të borës. Brenda dy ditëve të fundit unë kam pasur takim me dy kompani të cilat merren me sanimin e këtyre problemeve dhe nga momenti kur do të krijohen kushte atmosferike do të intervenohet përsëri, që të kemi ujë të pijshëm, por njëherësh si projekt ne do të shkojmë edhe me zgjidhje afatgjate nga i cili do të dalë pas revidimit të problemit”, deklaron Kasami.
Edhe pse para disa javësh, Kasami theksoi se ka urdhëruar sanimin e puseve, aktualisht vetëm dy janë funksionale.
“Për momentin vetëm 2 nga 6 puse janë në funksion në Tetovë, tek të cilët as që është intervenuar dhe nuk janë funksionale. Duhet intervenim i plotë që nga pompat e deri tek sistemi elektronik, pra, sistemi i përcjelljes së rrymës elektrike, që të mund të vendoset në funksion. Janë në proces përpilimi të gjitha dokumentacionet, sepse ka të bëjë me tenderime të furnizimit të pompave të cilat për momentin nuk janë në funksion. Duhet të sigurohen pompa të reja që puset të jenë funksionale dhe besoj që në bazë të procedurave të tenderimit dhe procedurave që janë të përcaktuara, edhe ata do të jenë në funksion”, shton Kasami.
Me fillimin e dimrit, mbi katër herë rrjeti i ujësjellësit të Leshnicës ka pësuar dëmtime, gjë që ka bërë që qytetarët e Tetovës dhe rrethinës të mbeten pa ujë për ditë të tëra. Kreu i komunës ka deklaruar se është ngritur komision për të vlerësuar cilësinë e punëve të kryera në këto ujësjellës, të cilët tetovarëve u kanë kushtuar miliona euro.
