Tërmkolli: Ibrahim Rugova ishte arkitekt i Pavarësisë, të tjerët vetëm e formalizuan

TË FUNDIT

Pothuajse gjithë meritën kryesore për Pavarësinë e shtetit ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ia dedikon presidentit Ibrahim Rugova.

Por, thotë se askush nuk e kishte menduar që presidenti Rugova nuk do të ishte nënshkruesi i parë i deklaratës së Pavarësisë.

Thotë se procesi u vazhdua, pasi që do të duhej të vazhdohej nga të tjerët por se kjo tani u bë formalisht.

“Së pari njeriu kryesor i cili ishte arkitekt i Pavarësisë së Kosovës se ka menduar askush që presidenti Ibrahim Rugova nuk do të ishte nënshkruesi i parë i deklaratës së Pavarësisë dhe i shpalljes natyrisht, pra jo vetëm nënshkrues por edhe ta shpallet dhe siç thoshte de facto e kemi por edhe njohjen de juro, kështu që ironia më e madhe për mua, por edhe për krejt shqiptarët ka qenë pikërisht që ai kishte shkuar dy vite më herët. Natyrisht, pastaj me të tjerët e vazhduam këtë proces, por që do të jenë ata që e bënë edhe formalisht shpalljen si kryeministri Thaçi, kryetari i Kuvendit, por edhe të tjerët dhe sigurisht në atë kohë nuk besoj që dikush do ta ketë menduar që do të akuzoheshin në Hagë, pra nuk besoj që ka pas dikush që do ta mendonte një gjë të tillë, kështu që mendoj që është një përgjigje që do ta jepte secili”, është shprehur ajo për FrontOnline.

Ish-deputetja ka folur edhe për ish-çlirimtarët që po akuzohen në Hagë, duke thënë se jo vetëm për të, por për asnjë qytetar të vendit nuk është gjë e mirë.

“Natyrisht jo vetëm për mua si individ, por për këdo qoftë për vendin tonë nuk është mirë, nuk është ndjenjë e mirë që janë në Hagë, nuk është diçka që na bën me u ndi mirë, përkundrazi, sidomos njerëzit që pavarësisht edhe gabimeve edhe lëshimeve janë njerëz që e kanë bërë shpalljen formale të pavarësisë edhe nuk është mirë që janë në Hagë edhe nuk janë këtu. Në fakt ne e ndjejmë edhe për të gjithë ata që kanë sakrifikua për vend edhe nuk janë, edhe nuk kanë qenë edhe në atë ditë në nënshkrimin e Pavarësisë sepse e kam thënë edhe po e përsëris vazhdimisht se nuk jemi ne ata deputetë që e nënshkruam aktin e Pavarësisë, nuk jemi ne të vetmit ata që e bëmë, në fakt Pavarësinë e Kosovës e ka nënshkruar krejt populli i Kosovës me punën e vet, me jetën e vet, me sakrificën e vet kështu që merita e Pavarësisë i takon krejt shqiptarëve”, ka shtuar Tërmkolli.