Përveçse në Onkologji hetime dhe kontrolle po bëhen edhe nëpër institucione tjera shëndetësore njofton Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti. Nuk ndau shumë informacione mbi këtë, pasi siç tha nuk dëshiron të dëmtojë procesin, mirëpo përmendi sistemin “Termini im”.
“Nuk qëndroj me duarkryq, nga dita e parë në ministri bashkë me kabinetin bëjmë hetime në shumë institucione, konkretisht edhe për atë, për keqpërdorimin e “Termini im”. Fillimisht kemi lëshuar kontrollues në “Termini im”, inspektorë ku duheshte dhe qëllimi është që të këshillohemi të përmirësojmë listën e pritjes, të mos jetë aq e gjatë”, tha Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë.
Edhe vetë i pari i Shëndetësisë e pranon se pacientët ankohen se në klinikat kirurgjikale nuk ka termine të lira për ndërhyrje, por puna ndryshon kur mjekëve u ofrohen para.
“Këto zëra të pacientëve vijnë edhe tek unë si mjek, që nuk kam dashur asnjëherë ta besoj, por edhe tani si ministër, si përgjegjës i resorit, për këtë arsye duhet deri në fund të hetojmë punët dhe një herë e përgjithmonë shëndetësinë ta vendosim në rrugë të drejtë”, dekalroi Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë.
Sa i përket skandalit në Onkologji, Mexhiti pret që hetimi në Klinikë të përfundojë sa më shpejt.
“Nga ajo që bëjmë ne, jemi në komunikim të përditshëm me pacientët që janë drejtuar në MSh edhe tek unë vetë, ne i kemi drejtuar në adresë të saktë, për në Prokurori dhe Prokuroria në mënyrën më transparente, deri tani nuk ka patur shembull të këtillë, punon shumë hapur me pacientët dhe familjarët e tyre dhe të gjithë që kanë informacione të sakta të argumentuara”, theksoi Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë.
Mexhiti realizoi brifing me gazetarët ku radhiti problemet më të theksuara në shëndetësi, si vonesat në prokurime, mungesa e kuadrove, mungesa e terapive, vjetërsimi i aparaturave mjekësore, mospërdorimi i aparatures se re për shkak mungesës së specialistëve dhe të tjera, për të cilat premton zgjidhje deri në fund të mandatit.